Pas fitores ndaj Rumanisë, basketbollistët e Kosova U15 të shtunën mbrëma do të përballen me Bullgarinë me fillim nga ora 19:30 në palestrën e sportit të Kolegjit “ISP” në lagjen “Marigona Residence” në Prishtinë.
Para duelit Kosovë-Bullgari, duke filluar nga ora 17:00 do të takohen Maqedonia dhe Rumania.
Basketbollistët e Kosova U15 e kanë nisur me fitore Turneun Ndërkombëtar U15 duke e mposhtur Rumaninë me rezultat 69:47 (17:6, 19:17, 14:10, 19:14).
Krahas duelit, Kosovë-Rumani, është luajtur edhe ndeshja tjetër ajo në mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, ku fitore kanë regjistruar basketbollistët maqedonas me shifrat 62:54.
Turneu Ndërkombëtar U15 ka filluar të premten në Prishtinë dhe do të përfundoj të dielën, kurse po marrin pjesë Kosova, Rumania, Maqedonia dhe Bullgaria.
Ky turne njëherësh është aktiviteti i fundit në kuadër të projektit për Zhvillim të Gjeneratave të Reja të FIBA Evropës, projekt ky që udhëhiqet nga Federata e Basketbollit të Turqisë, ndërsa implementohet nga katër shtetet e lartëpërmendura.
Në kuadër të këtij projekti janë organizuar kampe nacionale, kampe ndërkombëtare, vizita të trajnerëve në Turqi, turne të ndryshëm, dhe tani është radha e përmbylljes së projektit dhe evaulimit të tij nga menaxherët e katër federatave, e kjo do të ndodh në Prishtinë në ditën e fundit të turneut. Ky takim do të udhëhiqet nga projekt menaxheri i Federatës Turke të Basketbollit, i cili do të arrij të shtunën në Prishtinë.