Këtë fundjavë zvhillohen ndeshjet e xhiros XIX të ETC Superligës dhe takimi i parë që zhvillohet sot në Pejë mund të jetë edhe më interesanti i xhiros. Besa është nikoqire e Golden Eagle Yllit. Përderisa ekipi vendës duhet që në çdo ndeshje të kërkojë fitoren, e kjo vlen posaçërisht në duelet me Vëllaznimin dhe Kastriotin meqë po kërkon mbijetesën në elitë, mysafirët tashmë janë kualifikuar në Turneun Final të Kupës dhe po e kërkojnë edhe plejofin.
Golden Eagle Ylli e ka mposhtur Kosova e Re Bashkimin në çerekfinale të Kupës të mërkurën dhe lodhja mund të jetë problemi i tyre më i madh në këtë ndeshje, por, suharekasit konsiderohen favoritë.
Në anën tjetër Besa me fitore eventuale do të krijonte distancën që i duhet për të qenë komode në pozitën e shtatë.
Kjo ndeshje fillon në ora 16:00.
Të shtunën zhvillohet ndeshja ndërmjet Pejës dhe Kastriotit. Pas humbjeve nga Ylli në ETC Superligë dhe Craiova në ligën BIBL, ndeshja me Kastritoin është mbase pikërisht ajo që i duhet Pejës në mënyrë që të rehabilitohet dhe tu kthehet fitoreve. Ekipi nga Ferizaji edhe ashtu është më shumë i fokusuar në duelet e mbetura me Besën dhe Vëllaznimin me qëllim të sigurimit të mbijetesës në ETC Superligë.
Kjo ndeshja fillon në ora 18:00
Ndeshja e rradhës është derbi i rivalëve të vjetër dhe kampionëve të shumëfishtë, Sigal Prishtinës dhe Trepçës. Sidoqoftë, në këtë ndeshje Sigal Prishtina në letër është ekip superior dhe nuk pritet të ketë telashe për arritjen e fitores. Trepçës i mbetet të nxjerrë maksimumin nga duelet me Golden Eagle Yllin dhe ekipet e pjesës së dytë të tabelës, me qëllim të sigurimit të plejofit.
Kjo ndeshje fillon në ora 20:15.
Të dielën zhvillohet ndeshja në Gjakovë ku Vëllaznimi është nikoqir i Kosova e Re Bashkimit. Ekipi gjakovar është jashtë luftës për plejof, kurse prizrenasit pas eliminimit nga garat e IPKO Kupës kërkojnë plejofin për të shpëtuar sezonin, kështu që pritet që të hynë të motivuar për fitore në ndeshjen ku konsiderohen favoritë.
Ndeshja zhvillohet në ora 19:00.