Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) sot në hotel "Solid" në Suharekë e ka mbajtur Kuvendin e Punës. Të pranishëm ishin 21 nga 40 delegatë sa numëron Kuvendi i FBK-së.
Rendi i ditës përbëhej nga këto pika: Miratimi i procesverbalit nga Kuvendi i Punës së datës 19.02.2017; Raporti i Punës; Raporti Financiar dhe i Auditimit; Plani i Veprimit për vitin 2018; Draft-Buxheti për vitin 2018.
Numri një i FBK-së, Erolld Belegu para delegatëve të pranishëm prezantoi në detaje të gjitha raportet të cilat u votuan pa asnjë vërejtje, njëjtë sikur edhe Plani i Veprimit dhe Draft-Buxheti i vitit 2018 që u votuan pa asnjë vërejtje.
Duhet theksuar se ky është viti i tretë radhazi që FBK e organizon Kuvendin e Punës në qytetin ku edhe organizohet pjesa përfundimtare e Kupës së Kosovës.
Ndërkaq finalet e Kupës së Kosovës do të luhen të dielën në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, ajo e femrave në ora 16:00, ku do të takohen Pro Bet Prishtina dhe Penza, kurse e meshkujve do të filloj në ora 19:00 dhe do të përballen Sigal Prishtina – Bashkimi.