Rilski Sportist nga Samokovi i Bullgarisë ka pësuar humbje në ndeshjen e parë finale të Ligës Ballkanike (BIBL) nga Sigal Prishtina me rezultat 74:72 të luajtur të martën mbrëma në kryeqytetin kosovar. Më poshtë janë disa deklarata nga tabori i ekipit bullgar sa i përket finales së parë.
Vernon Taylor (basketbollist i Rilski Sportist): Ishte një atmosferë e “çmendur”. Kur ju jeni fëmijë ju ëndërroni të luani në një atmosferë si kjo që ishte në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Po ashtu të humbisni me vetëm 2 pikë dallim për ne është mirë. Ne kemi ardhur për të fituar, por disfata prej 2 pikë epërsi tregon se ne kemi karakter dhe se ekipi ynë është rritur duke luajtur së bashku dhe ka arritur në formën e duhur atëherë kur është më se e nevojshme. Ne tani me padurim po e presim ndeshjen tjetër dhe do ta harrojmë gjithë këtë që ndodhi në Prishtinë, sepse duhet të shikojmë përpara. Unë pres që në takimin e dytë të finales Sigali të luaj edhe më mirë sesa ka luajtur si vendas. Pres një luftë të madhe për trofeun e BIBL”.
Ludmil Hadjisotirov (ndihmëstrajner i Rilski Sportist): Unë mendoj se ne e kemi bërë një punë të mirë duke e kontrolluar ritmin e lojës në një mjedis shumë të vështirë dhe me një mbështetje kaq të madhe të tifozëve për Prishtinën. Sigali është skuadër shumë e fortë, me lojtarë shumë të mirë në përbërje dhe me një trajner po ashtu mjaft të mirë. Për ne të vijmë këtu, dhe ta kontrollojmë ritmin e lojës dhe ta menaxhojmë stilin tonë të lojës për pjesën më të madhe të ndeshjes do të thotë shumë. Pra kjo është një gjë pozitive për ekipin tonë. Por kjo është vetëm pjesa e parë e finales. Janë dy ndeshje dhe tani ne duhet ta harrojmë këtë dhe duhet të fillojmë të mendojmë për takimin tjetër. Ne presim përkrahje nga tifozët tanë në duelin e së martës. Shpresojmë se do të kemi atmosferë të ngjashme si kjo në Prishtinë dhe të jetë një festë për basketbollin në Bullgari dhe për Ligën Ballkanike. Ne presim të luajmë fortë dhe të luajmë për të fituar. Do të jetë ndeshje shumë e vështirë, do të luftohet për çdo pozitë dhe për çdo pikë. Unë shpresoj të kemi mbështetje, por edhe fat”.