Bashkimi dhe Penza e kanë bërë një hap para për në finalen e play-offit në Ligën e Femrave në basketboll.
Basketbollistet prizrenase të enjten mbrëma kanë shënuar fitore bindëse ndaj Pro Bet Prishtinës në kryeqytet me rezultat 102:72 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të play-offit. Edhe vashat pejane me lehtësi kanë triumfuar në përballje me Trepçën, të cilën skuadër e kanë mundur me shifrat 57:45.
Ndërkaq ndeshjet e dyta gjysmëfinale do të luhen të dielën, njëra në Prizren dhe tjetra në Mitrovicë.
Të dielën me fillim nga ora 13:00 në palestrën "Minatori", Trepça e pret Penzën, si dhe duke filluar nga ora 19:00, Bashkimi është nikoqir i Pro Bet Prishtinës.
Në rast fitoreje të Penzës dhe Bashkimit, të dy këto skuadra do të radhiten në finalen e madhe, e cila këtë edicion do të luhet në tri fitore.