Dy ndeshje do të luhen në këtë mesjavë në kuadër të xhiros së pestë në Superligën e Kosovës në basketboll.
Të mërkurën Kerasan Prishtina është nikoqire e Vllaznimit, takim ky që do të zhvillohet me fillim nga ora 21:00, ndërsa pritet edhe rivalitet i madh në parket ndërmjet këtyre dy skuadrave, duke marr parasysh se që të dyja në përbërjen e tyre kanë vetëm lojtarë vendor dhe që të dyja synojnë fitoren e parë pas katër xhirove të zhvilluara deri më tani në edicionin e ri 2016/17.
Ndërkaq të enjten duke filluar nga 20:00 në palestrën “Sezari Surroi” në Prizren, do të luhet derbi i kësaj xhiroje, ku Bashkimi është nikoqir i Trepçës nga Mitrovica.
Ashtu si edhe në të kaluarën, kur sa herë janë takuar këto dy klube, që ka dominuar rivaliteti, ashtu pritet të ndodh edhe tash, duke marr parasysh investimet e bëra nga të dyja ekipet për këtë edicion.
Në katër xhirot e para, prizrenasit kanë bilanc prej 4 ndeshje e 4 fitore, kurse mitrovicasit nga katër duele kanë regjistruar 3 fitore e 1 humbje.
Duhet theksuar se Peja dhe Sigal Prishtina për shkak të angazhimeve në FIBA Europe Cup, ku do të luajnë ndeshjet e xhiros së tretë të mërkurën, njëra në Turqi e tjetra në Rusi, këto dy skuadra duelet e xhiros së pestë të elitës së basketbollit kosovar do t’i luajnë më vonë.