Sigal Prishtina është mysafire e Bashkimit të hënën në kuadër të Grupit A të Sigal Uniqa Ligës Ballkanike (BIBL).
Takimi do të luhet me fillim nga ora 19:00 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.
Kjo është ndeshje e mbetur e xhiros së katërt të Grupit A të BIBL-it, e cila është shtyrë për shkak të angazhimeve të bardhekaltërve në garat e FIBA Europe Cup. Pikërisht për këtë arsye skuadra nga kryeqyteti e ka zhvilluar vetëm një duel në Ligën Ballkanike, atë ndaj Beroe-s në Stara Zagora të Bullgarisë, kur u pati mposhtur me shifrat 86:71.
Pra, Sigal Prishtina në ditët në vazhdim do t’i luaj të gjitha ndeshjet e mbetura në kuadër të BIBL-it.
Ndërkaq në anën tjetër, Bashkimi nga 5 ndeshje të zhvilluara ka arritur të regjistroj vetëm 1 fitore, ndërsa tani i mbetet që në takimet në vazhdim të luftoj maksimalisht për të triumfuar në pothuajse secilën prej tyre, në mënyrë që ta siguroj një vend për në fazën e dytë të Ligës Ballkanike.
Sigal Prishtina është kampione e BIBL-it dhe pas mossigurimit të një vendi për në fazën e dytë të FIBA Europe Cup, prishtinasit tashmë të gjithë fokusin e kanë vënë në mbrojtjen e trofeve të fituar një edicion më parë, atë të Superligës së Kosovës, Kupës së Kosovës dhe të Ligës Ballkanike.
Ekipi nga kryeqyteti të shtunën e ka mposhtur rivalin e saj të përbetuar Pejën në kuadër të xhiros së nëntë të Superligës, ndërsa një javë më parë të njëjtën gjë e bëri edhe në ballafaqim me Bashkimin. Që të dy këto skuadra e kanë mundur Sigal Prishtinën në fillim të edicionit, por tashmë ajo arriti që të hakmerret për disfatat e pësuara.