Të hënën me ftesë të kryetarit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu në zyre të FBK-së është mbajtur një takim pune me drejtuesit e skuadrave të Superligës së Kosovës: Sigal Prishtinës, Pejës, Bashkimit, Trepçës, Golden Eagle Yllit, Rahovecit, Kerasan Prishtinës dhe Vëllaznimit.
Rendi i ditës në këtë takim ishte: Situata aktuale në Superligën e Kosovës, Propozimet konkrete për zhvillimin e basketbollit kosovar në përgjithësi dhe Situata aktuale e skuadrave kosovare në garat ndërkombëtare.
Po ashtu në këtë takim pune është prezantuar para drejtuesve të klubeve të elitës së basketbollit kosovar Programi për Edukimin dhe Licencimin e Trajnerëve. Prezantimin e programit e bëri kryetari i Këshillit Profesional të FBK-së, trajneri i mirënjohur slloven, Anton Krump, ndërsa ky program u mirëprit nga të gjithë të pranishmit në këtë takim pune.
Të gjithë drejtuesit e ekipeve folën para krerëve të FBK-së për situatën aktuale në basketbollin kosovar dhe u shprehën shumë të kënaqur për takimin e thirrur, ndërsa krejt në fund të gjitha palët e përfshira u dakorduan që brenda dhjetë ditëve të mbahet takimi i radhës, ku do të dilet me propozime konkrete për zhvillimin e mëtutjeshëm të basketbollit në vendin tonë.