Përfaqësuesja U16 e Kosovës sot ka qenë në vizitë në TEB Bank me ftesë të kësaj të fundit. Arsyeja e ftesës së drejtuesve të TEB Bank për Kosovën U16 ka qenë përgëzimi për suksesin e arritur në Kampionatin Evropian, Divizioni C të kësaj grupmoshe që është mbajtur në San Marino prej 6 deri më 11 Korrik 2015, ku djelmoshat tanë janë shpallur nënkampion të këtij Divizioni.
Në fillim fjalën e mori shefi ekzekutiv i TEB Bank, Ayhan Albeyoglu, i cili në emër të bankës që ai e drejton i ka përgëzuar basketbollistët e rinj kosovarë dhe njëkohësisht ka kërkuar nga ata të vazhdojnë të punojnë shumë që në vitin e ardhshëm të shpallen kampion: “Na keni bërë shumë krenarë me suksesin e arritur në San Marino. Mundi dhe puna juaj është shpërblyer. Kosova si shtet i ri duhet të jetë krenare me prezantimin që ju e keni bërë në Kampionatin Evropian. Me këta drejtues që i ka federata jam i bindur se basketbolli kosovar do të zhvillohet hovshëm tani pas pranimit në FIBA. Unë ju përgëzoj dhe në të njëjtën kohë uroj që vitin e ardhshëm të shpalleni kampion. Ne si bankë jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin që e kemi me federatën dhe jam i bindur se së bashku do të arrijmë të kontribuojmë në realizimin e objektivave që FBK ia ka vënë vetes”.
Në anën tjetër, kapiteni i Kosovës U16, Dion Pllana ka folur për eksperiencën e fituar në San Marino: “Kemi luajtur shumë mirë prej fillimit të Kampionatit. Në finale është dashur të fitojmë, por disa gabime tona i ka shfrytëzuar mjaft mirë kundërshtari që kishte përvojë më shumë sesa ne në arenën ndërkombëtare dhe kështu në fund ishin basketbollistët e San Marinos ata që u shpallen kampionë. Sidoqoftë për ne pjesëmarrja në Evropian ka qenë një përvojë shumë e mirë dhe tani jemi më të pjekur dhe më të përgatitur për sfidat që na presin”.
Ndërkohë anëtari i Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Valton Bilalli e ka falënderuar bankën TEB për përkrahjen vazhdueshme që po i jep basketbollit kosovar në përgjithësi. Bilalli në emër të FBK-së i ka dhuruar Albeyoglu-t një fanellë të Përfaqësueses së Kosovës si shenjë falënderimi për mbështetje: “Kjo fanellë është shenjë modeste për kontributin që po e jepni në avancimin e basketbollit kosovar, duke qenë gjithnjë përkrah kategorive të reja, që janë edhe pika kyçe e FBK-së. Ne premtojmë se do të punojmë edhe më shumë që në të ardhmen të kthehemi nga garat e tilla edhe si kampion”.
Në fund TEB Bank kishte përgatitur një befasi për basketbollistët e rinj kosovarë, të cilët i ka shpërblyer me shumën e përgjithshme prej 600 euro.
Duhet theksuar se TEB Bank ka qenë sponsore e dy Përfaqësueseve të Kosovës, U16 dhe U20 në Kampionatet Evropiane gjegjëse.