Të shtunën, ora 17:00 Trepça vs AS Prishtina

12.12.2020 SUPERLIGA
12.12.2020 SUPERLIGA
13.12.2020 SUPERLIGA
12.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT
13.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT
13.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT

TELEGRAM NGUSHËLLIMI

  • TELEGRAM NGUSHËLLIMI
2 Gusht 2020

E nderuara familje Kajtazi,

Miq të shumtë të Vetonit,

Në emër të Federatës së Basketbollit të Kosovës, si dhe në emër të tërë komunitetit të basketbollit në vendin tonë, më lejoni t’ju shprehë ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe përzemërta për humbjen e Tonit tonë.

Qenka e vështirë të shkruash telegram ngushëllimi për largimin e parakohshëm të Tonit, këtij njeriu që gjithnjë rrezatonte pozitivitet e optimizëm e ishte plot jetë.

Natyrisht, si edhe të gjithë të rinjtë e kryeqytetit që kishin dashuri për basketbollin gjatë viteve të nëntëdhjeta, viteve më të vështira dhe errëta për sportin tonë, unë “Axhën Veton” e njoha si drejtues të Klubit të Basketbollit Prishtina, si punëtor sportiv të përkushtuar e udhëheqës të komunitetit basketbolldashës të kryeqytetit atëbotë. Personalisht nuk mund ta kujtoj veten në basketboll pa Tonin, i cili ishte ndër ata që qëndruan në kryesi të klubit të basketbollit kryeqytetas, në të mirë e në të keq, për gati tri dekada të plota. Si edhe për të gjithë basketbollistët tjerë që kanë qenë pjesë e Klubit të Basketbollit Prishtina, për mua do të jetë vështirë ta paramendoj klubin dhe sallën e basketbollit në kryeqytet pa Tonin! Si për ta konfirmuar këtë, sot me të marrë lajmin mu lajmëruan disa ish-bashkëlojtarë të cilët kishin edhe dhjetëra vite pa e takuar Tonin, por të cilët ndjenin dhimbje për humbjen e kësaj ikone të klubit e të kryeqytetit, duke u shprehur në superlativ për personalitetin, afërsinë dhe nivelin e qytetërimit dhe mirësjelljes që ai përçonte që në takim të parë.

Nga arkivi im personal i nxora para disa javësh dy foto të basketbollit të bëra gjatë viteve të mbijetesës së sportit tonë në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, e në to nuk kishte si mos të jetë edhe Toni. Postimin e njërës prej tyre, të shkrepur në sallën e ish-Shkollës Fillore 22 Dhjetori, ku kishim kaluar aq shumë kohë në stërvitje e ndeshje, momente të mira e të këqija, frike e gëzimi, humbje e fitore bashkë, e shfrytëzova për t’ia shprehur publikisht Tonit dhe miqve të tij, mirënjohjen time më të thellë dhe përzemërt për gjithçka që kishin bërë për ne atëbotë dhe na kishin mësuar dhe treguar me shembullin e tyre jo vetëm se si të sillemi brenda fushës por edhe jashtë saj, për kontributin dhe përkushtimin që kishin treguar për të na organizuar stërvitje dhe gara basketbolli me plot vetëmohim, pa kurrfarë përfitimi dhe duke vënë në rrezik veten dhe familjet e tyre të reja. Të dytën, të shkrepur gjatë një ndalese të bërë rrugës për një ndeshje në Pejë rreth vitit 1996, në të cilën natyrisht Toni na voziste me veturën e tij personale, po e ndaj me ju sot, për t’ju treguar se si do ta mbajmë në mend dhe do ta kujtojmë Tonin të gjithë ne që kishim fatin ta njohim – të afërt, të buzëqeshur, me sharm të pashoq, gjithmonë në hap me kohën dhe trendet urbane. 

E unë, përkundër dallimit në moshë, me Tonin nuk e ndaja vetëm pasionin për basketbollin, por edhe lagjen, profesionin dhe dashurinë për muzikën rock! Toni, do më mungojnë diskutimet tona për basketbollin, bisedat tona për telashet profesionale dhe muzikën, si dhe batutat e humori yt i hollë!

Basketbolli i Kosovës sonte humbi një nga njerëzit më të vyer dhe meritor që atë e mbajtën gjallë dhe e avancuan nga ditët e mbijetesës dhe ndërrimit të fanellave të lojës brenda Golf II të Tonit, ndeshjeve klandestine në salla të shkollave e terrene të jashtme, e deri tek ndeshjet ndërkombëtare të Përfaqësueses së Kosovës me kampionë evropianë e superfuqi botërore. Vepra dhe kontributi i Veton Kajtazit do të jetojë përjetë! Basketbollit dhe kryeqytetit do t’i mungojë kjo ikonë e vërtetë!

Me dhimbje të thellë dhe bashkëndjesi për humbjen tuaj dhe tërë komunitetit tonë, 

Arben Fetahu

Kryetar

Federata e Basketbollit të Kosovës