E nderuara familje e z. FADIL VOKRRI!
Të nderuar drejtues e punëtorë të Federatës së Futbollit të Kosovës!
Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ndihet thellësisht e tronditur dhe e shokuar nga ndarja e parakohshme nga jeta e mikut, dhe kolegut të saj, kreut të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), z. Fadil Vokrri.
Në emër të Kryetarit të FBK-së z. Arben Fetahu, Sekretares së Përgjithshme të FBK-së, znj. Elvira Dushku, si edhe të gjithë anëtarëve të Bordit të FBK-së, komuniteti i basketbollit në Kosovë i përcjell ngushëllimet më të thella e më të sinqerta për familjen, të afërmit, miqtë, spordashësit dhe mbarë qytetarët e Kosovës për këtë ndarje tragjike e të parakohshme nga jeta të zotit Vokrri, që vuri gjithçka në dispozicion të rritjes dhe zhvillimit të futbollit në Kosovë.
Kontributi i z. Vokrri do të mbahet mend shumë gjatë për angazhimin e tij maksimal dhe gjithëpërfshirës në drejtim të ngritjes dhe përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës dhe futbollit të saj, në Evropë dhe në Botë.
Emri dhe vepra e tij i sollën shumë miq Kosovës, të cilët ia hapën dyert sportit, në veçanti lojës të cilës Vokrri ia kushtoi një jetë, futbollit.
Ndarja e tij e parakohshme nga jeta mbetet një humbje shumë e madhe jo vetëm për futbollin kosovar, por edhe për sportin kosovar në përgjithësi.
Lamtumirë miku ynë Fadil!
Prehu në paqe legjenda e sportit kosovar!
Me respekt,
Arben Fetahu
Kryetar
Federata e Basketbollit të Kosovës