Tre trajnerë kosovarë të grupmoshave të reja, Dritëro Sefaja, Edon Godeni dhe Petrit Zeqiri prej 9 deri më 16 gusht do të marrin pjesë në fazën e parë të programit të FECC-së (FIBA Europe Coaching Certificate) që do të zhvillohet në Kaunas të Lituanisë, aty ku edhe do të mbahet Kampionati Evropian për U-16, Divizioni A në konkurrencën e meshkujve.
Cikli i këtij programi është 2015-2017 dhe më pas trajnerët e lartëpërmendur do të kenë mundësi edhe të certifikohen.
Kosova është i vetmi shtet që i ka 3 trajnerë në këtë program dhe kjo gjithnjë duke iu falendëruar FIBA Evropës.
Trajnerët kosovarë do të kenë mundësi të ndjekin ligjerata nga trajnerë të mirënjohur nga i gjithë rruzulli tokësor, ndërsa shef i këtij programi është Svetislav Peshiç, i cili është një trajner që ka fituar një numër të madh të trofeve me skuadra të ndryshme.
Duhet theksuar se trajnerët tanë që do ta vijojnë programin e FECC-së krahas ligjeratave gjatë zhvillimit të Kampionateve Evropiane të U-16 (viti 2015), U-18 (2016) dhe U-20 (2017), njëkohësisht do të kenë edhe detyra të tjera që do t’i kryejnë gjatë punës nëpër klubet e tyre.