Trepca e ka regjistruar fitoren e dytë në shtëpi në kuadër të Grupit B në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL) dhe të dytën në përgjithësi në këtë garë.
Mitrovicasit para shikuesve të tyre në palestrën “Minatori” në Mitrovicë në një ndeshje mjaft dramatike e kanë mposhtur të mërkurën mbrëma skuadrën e Sutjeska-s nga Nikshiqi i Malit të Zi me rezultat 75:73 (18:16, 21:18, 19:18, 17:21).
Nikoqirët prej fillimit e deri në fund të takimit kanë qenë ata që kanë udhëhequr në rezultat, por në castet e fundit të ndeshjes edhe mysafirët e patën shansin e tyre.
Për Sutjeska-n kjo ishte humbja e parë në këtë edicion të Ligës Ballkanike, pas tri fitoreve radhazi.
Në xhiron e radhës Trepca e pret ekipin e Tiranës, ndërsa skuadra nga Nikshiqi do të luaj para shikuesve të saj kundër Karpos Sokoli-t.
Frederic Stutz dhe Jeremy Wise me nga 16 pikë secili ishin koshashënuesit më të mirë te ekipi nga Mitrovica, derisa te Sutjeska më i dalluari ishte Jermayne Thomas me 22 pikë.