Trepça ka shënuar fitore ndaj Pejës të dielën në palestrën "Minatori" në Mitrovicë me rezultat 87:83 (22:21, 23:20, 24:27, 18:15) në kuadër të xhiros së XV të IP Superligës së Kosovës në basketboll.
Koshashënuesit më të mirë te skuadra mitrovicase ishin Agon Selmani me 22 pikë, Jordan Reed me 21 pikë, derisa ai pati edhe 7 kërcime dhe Samir Zekiqi me 20 pikë, 6 kërcime e 4 asistime.
Në anën tjetër te Peja më efikasit ishin Rron Grapci me 24 pikë e 8 kërcime, Beq Kovaqi me 20 pikë, 10 kërcime e 3 asistime, Edonis Devolli me 19 pikë dhe Rron Ukaj me 14 pikë e 6 kërcime.
Duhet theksuar se fitore në kuadër të kësaj xhiroje kanë regjistruar Sigal Prishtina ndaj Bashkimit dhe Golden Eagle Ylli ndaj Kerasan Prishtinës.
Ndërkaq Rahoveci e ka nisur stinorin pranveror me fitore, kur të hënën e ka mposhtur Borean në "Karagaçi" të Pejës me rezultat 91:67 (31:25, 22:11, 19:20, 19:11).
Më të merituarit për triumfin e Rahovecit ishin Arti Hajdari me 21 pikë, 5 kërcime e 6 asistime, Junious Prowell me 21 pikë e 4 asistime, Arian Qallaku me 15 pikë, 7 kërcime e 3 asistime dhe Mustafë Merovci me 12 pikë e 6 kërcime.