Të dielën në palestrën “13 Qershori” në Suharekë me finalet e zhvilluara në të dyja konkurrencat është përmbyllur Final 8 i Kupës së Kosovës, që ka filluar më 28 shkurt.
Trofetë e Kupës së Kosovës nuk i kanë ndërruar pronarët, pasi Kupat kanë mbetur në kryeqytet.
Së pari është zhvilluar finalja në konkurrencën e femrave, ndërmjet Pro Bet Prishtinës dhe Penzës nga Peja, e cila ishte mjaft dramatike dhe me një kthesë “të papritur” në rezultat nga vashat bardhekaltra, të cilat nga më shumë se minus 10 pikë, arritën që në fund të triumfojnë me rezultat 79:77 dhe atë vetëm pas 5 minutave shtesë.
Kupën, kapitenes së skuadrës fituese, Ermelinda Shatrit ia dorëzoi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, i cili ditë më parë e kishte konfirmuar pjesëmarrjen në ftesën e dërguar nga FBK për në finalen e femrave, duke e mbështetur kështu basketbollin femëror në vendin tonë.
Basketbollistja e Pro Bet Prishtinës, Irma Konjusha me 36 pikë, 12 kërcime, 7 asistime e 4 topa të vjedhur është shpallur MVP e finales së Kupës së Kosovës. Trofeun ia dorëzoi anëtarja e Bordit të FBK-së, Kimete Haliti.
Ndërkaq në finalen e meshkujve të zhvilluar ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Bashkimit, po ashtu pas një ndeshje mjaft dramatike triumfoi skuadra nga kryeqyteti me shifrat 77:74.
Kupën, kapitenit të ekipit fitues, Edmond Azemit ia dorëzoi numri një i FBK-së, Erolld Belegu, kurse MVP i Final 8 të Kupës së Kosovës është shpallur Fisnik Rugova, i cili ndeshjen finale e përmbylli me 21 pikë, 12 kërcime, 4 asistime e 3 topa të vjedhur. Trofeun e MVP-së ia dorëzoi Valton Bilalli, anëtar i Bordit të FBK-së.
Kjo është kupa e 13-të në histori të Sigal Prishtinës, ndërsa e 10-ta për Pro Bet Prishtinën (-ish Universitetin).
Këtë edicion për herë të parë është zhvilluar Final 8 i Kupës së Kosovës me këtë format, duke filluar nga dita e mërkurë 28 shkurt e deri të dielën 4 mars në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.
Organizatore e Final 8 të Kupës së Kosovës është skuadra e Golden Eagle Yllit nga Suhareka
Në kuadër të Final 8 të Kupës së Kosovës në Suharekë është organizuar edhe Klinika për Gjyqtarët Kandidatë Potencial (Nacional) për thirrje të FIBA-s. Klinika është organizuar prej 28 shkurt deri më 2 mars në hotel “Solid” në Suharekë, kurse është udhëhequr nga drejtori i Departamentit të Gjyqtarëve në FIBA Evropë, Davorin Nakiç (Kroaci), ndërsa ligjërues ishin instruktorët e FIBA-s, Gjorgji Piperkov (Maqedoni) dhe Faton Kurshumlija (Kosovë). Pjesëmarrës të Klinikës kanë qenë 9 gjyqtarë potencialë, 4 nga Kosova dhe 5 të tjerë nga shtetet si, Greqia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Pikërisht gjyqtarët e kësaj Klinike kanë qenë ata që e kanë ndarë drejtësinë në ndeshjet e Final 8 të Kupës së Kosovës, duke përjashtuar finalet e së dielës në të dyja konkurrencat, të cilat do të drejtohen nga gjyqtarët vendor.
Duhet theksuar se po ashtu në kuadër të Final 8 të Kupës së Kosovës, Federata e Basketbollit të Kosovës të shtunën, më 3 mars e ka organizuar Kuvendin e Punës, ku delegatët e pranishëm i kanë miratuar pas asnjë vërejtje të gjitha pikat e rendit të ditës.