Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) falënderon Unionin Amator të Sportistëve (AAU) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për donacionin e dhënë në formë të pajisjeve sportive.
Unioni Amator i Sportistëve (AAU) e ka ndihmuar së fundi FBK-në me numër të madh topave të basketbollit, fanella dhe rekuizita të tjera, të cilat Federata e Basketbollit të Kosovës do ti shfrytëzoj për Përfaqësueset e Reja të Kosovës, si dhe në të ardhmen e afërt do t’i jap në formë të donacioneve klubeve të kategorive të reja, në të dyja konkurrencat.
Drejtuesit më të lartë të Unionit Amator të Sportistëve (AAU) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të prirë nga presidenti i kësaj organizate, Roger Goudy po qëndrojnë për një vizitë disa ditore në Kosovë, ndërsa të enjten janë takuar edhe me Sekretaren e Përgjithshme të FBK-së, Elvira Dushkun, e cila e ka shprehur në emër të FBK-së mirënjohjen për donacionin e ofruar me pajisje sportive.
Në emër të AAU-s, presidenti Goudy ka thënë se ky donacion vjen si rrjedhojë e vizitave që përfaqësuesit e kësaj organizate kanë pasur në Kosovë, si dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar sporti ynë dhe vetë shteti i Kosovës.
Duhet theksuar se me shtetin amerikan të Iowa-s na lidhin shumë vlera të përbashkëta dhe bashkëpunimi në fushën e sportit, përmes organizatës multi-disciplinare, AAU, është e një dobie të veçantë.