Liga e Femrave sa po vjen e po bëhet më interesant. Dhe për këtë është përkujdesur skuadra e Bashkimit nga Prizreni.
Vashat prizrenase përveçse e mposhtën kampionen në fuqi, Penzën nga Peja, ato arritën që të grumbullojnë rreth 1000 shikues në palestër, duke përfshirë këtu “Arpaxhikët”, të cilët në palestër kishin shkuar në mënyrë të organizuar.
Mobilizimi i kryesisë së re të KB Bashkimi-Femrat është për t’u lavdëruar, por edhe punë që po jep frytet e saj. Krahas Penzës, vashat portokalli javë më parë e kishin mposhtur edhe lideren e Ligës së Femrave, Pro Bet Prishtinën, duke e bërë kështu ligën çdo herë e më interesant.
Ndërkaq sa i përket duelit të së dielës mbrëma ndërmjet Bashkimit dhe Penzës, fitore regjistroi skuadra nikoqire me shifrat 98:56 (31:12, 23:11, 24:17, 20:16). Rezultati më së miri tregon për dominimin e Bashkimit karshi Pejës, ku për asnjë moment vashat pejane nuk ishin rivale të barabarta për ato prizrenase.
Më të merituarat për fitoren e Bashkimit ishin, Brown Haywood Khadija me 31 pikë, Anastasia Williams me 27 pikë, Aulona Muhadri me 16 pikë dhe Ulpiana Emra me 10 pikë.
Te Penza më efikaset ishin Saranda Daci me 16 pikë, Filloreta Krasniqi me 15 dhe Jeta Zeka me 11 pikë.