Kryetari i FIBA Evropës, njëherësh kryetari i Federatës Turke të Basketbollit, Turgey Demirel ka pritur në takim kryetarin e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Erolld Belegun.
Demirel dhe Belegu kanë biseduar për vazhdimin e përkrahjes së federatës turke dhe të FIBA Evropës për FBK-në posaçërisht pas zhvilimeve të fundit, që ndërlidhen me pranimin e Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC).
Kryetari Belegu ka njoftuar të parin e FIBA Evropës për zhvillimet më të reja në drejtim të ndërkombëtarizimit të sportit të Kosovës dhe për zhvillime te fundit në basketbollin kosovar.
Kryetari Demirel nga ana e tij pohoi se tashmë të gjithë në FIBA Evropë dhe në FIBA janë të njoftuar me vemdimin e IOC-së për pranimin e KOK-ut dhe janë të bindur se në dhjetor KOK do të pranohet me të drejta të plota në IOC, veprim ky që do të ndikojë direkt dhe fuqishëm edhe në raportet e FBK-së me shtëpinë botërore të basketbollit.
Po ashtu Demirel konfirmoi se për Kosovën do të bisedohet edhe të premten në Munih në mbledhjen e Bordit të FIBA Evropës.
Takimin Demirel – Belegu e ka bërë edhe më të sukseshëm arritja në parim e tri marrëveshjeve shumë të rëndësishme.
E para ka të bëjë me një ftesë për një reprezentacion të grupmoshave të reja në një turne të nivelit më të lartë ndërkombëtar në Turqi.
Marrëveshja e dytë në parim ka të bëjë me organizimin e një kampi të përbashkët për basketbollistët e rinj, ku me basketbollistët kosovarë do të punonin trajnerë turq dhe amerikanë, kurse marrëveshja e tretë ka të bëjë po ashtu me përkrahje teknike, gjegjësisht me ndihmë të Federatës Turke për gjyqtarët kosovarë të basketbollit nëpërmjet monitorimit të punës së tyre në kampe ose klinika.