FIBA Evropa nëpërmjet një shkrese zyrtare sot ka konfirmuar se do të mbështesë me 24.950 Euro Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), gjegjësisht punën e saj me kategori të reja.
FIBA Evropa e ka vlerësuar si të suksesshëm aplikimin e FBK-së në atë që njihet si "Youth Development Fund" ose Fondi për Zhvillim të Gjeneratave të Reja.
Në letrën e nënshkruar nga Drejtori Ekzekutiv i FIBA Evropës, z. Kamil Novak ndër të tjera thuhet: "Shpresojmë që projekti juaj ‘Zhvillimi i garave U14 dhe U12’ do të jetë një sukses i madh dhe do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejmë të basketbollit në vendin tuaj".
“Youth Development Fund” i FIBA Evropës është fond zhvillimor për gjenerata të reja, në të cilin të drejtë aplikimi kanë të gjitha vendet anëtare të FIBA Evropës në baza vjetore.
Projekti i FBK-së që ka marrë mbështetjen e FIBA Evropës në vete parasheh shtimin e numrit të ndeshjeve për grupmoshën U14, shtimin e numri të turneve për grupmoshën U12 dhe zhvillimin e kampeve edukative dhe përzgjedhëse për grupmoshën U14.
FBK po ashtu planifikon që në kampet edukative të ftojë edhe instruktorë të FIBA Evropës për kategori të reja, për çka paraprakisht kemi marrë dritën e gjelbër nga FIBA Evropa.
Projekti do të zgjas 9 muaj dhe do të nis të implementohet në vitin 2015 për të përfunduar në qershor të 2016-s.