Xhiroja e tretë e Superligës së Kosovës në basketboll veçohet me derbin që do të zhvillohet të dielën me fillim nga ora 19:00 në palestrën e sportit në Obiliq (Kastriot), ku do të takohen Trepça dhe Golden Eagle Ylli. Në këtë ndeshje pritet rivalitet i madh ndërmjet këtyre dy skuadrave, ku Trepça nga dy xhirot e para ka regjistruar 1 fitore dhe 1 humbje, derisa Golden Eagle Ylli e ka pësuar 1 humbje në xhiron e parë, kurse në të dytën ka pushuar. Mitrovicasit edhe pse vijnë pas disfatës nga Sigal Prishtina, ata janë shumë të motivuar për faktin se kanë arritur t’i bëjnë ballë kampionëve në fuqi të Kosovës deri në fund të takimit. Në anën tjetër therandasit në mesjavë kanë pushuar dhe tashmë pritet të hyjnë më të freskët në përballje me “xehetarët”.
Ndërkohë të shtunën në program janë dy ndeshje, ku Peja dhe Sigal Prishtina vlerësohen favorite karshi Kerasan Prishtinës, përkatësisht Vllaznimit.
Xhiroja e tretë
E shtunë
Peja – Kerasan Prishtina 17:00
Vllaznimi – Sigal Prishtina 18:00
E diel
Trepça – Golden Eagle Ylli 19:00 (Obiliq)
Bashkimi pushon