Basketbollistët e Vëllaznimit kanë shënuar fitore të dielën mbrëma në kuadër të xhiros së pestë në Ligën e Parë të Meshkujve duke e mposhtur Don Boskon në Prishtinë me rezultat 77:74 (26:27, 18:12, 17:16, 16:19).
Ndeshja ishte e baraspeshuar prej fillimit e deri në fund të takimit, e këtë më së miri e dëshmon edhe rezultati përfundimtar i këtij dueli.
Atik Koshi me 27 pikë, 5 kërcime e 3 asistime, ishte më i dalluari në radhët e ekipit nga Gjakova, derisa Robert Claypool ka kontribuar me 26 pikë, 11 kërcime e 3 asistime për fitoren e Vëllaznimit, si dhe Idoll Pallushi ka shtuar 16 pikë e 6 kërcime.
Te Don Bosko më efikasit ishin Rron Kurti me 20 pikë e 5 kërcime, Gent Shala me 18 pikë e 15 kërcime dhe Ermir Gashi me 16 pikë e 9 kërcime.
Fitore në kuadër të xhiros së pestë në Ligën e Parë të Meshkujve kanë shënuar edhe Istogu në përballje me Prishtinë e Re 94:56, Penza ndaj United Basketball me 84:57, Feronikeli në ballafaqim me Kerasan Prishtinën me 130:69 dhe Drita kundër Vushtrrisë me 93:71.