Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), pas diskutimit për zhvillimet më të reja para fillimit të edicionit 2015/16 në të gjitha rangjet ka marrë edhe këto vendime:
* Pas tërheqjes së sponsorit të ligës dhe në kohën kur po vazhdojnë përpjekjet dhe negociatat për gjetjen e sponsorit të ri, FBK do të bëjë mbulimin e shpenzimeve të personave zyrtarë për shtatë xhirot e para të Superligës. Nëse deri në atë kohë nuk arrihet ndonjë marrëveshje për sponsorim të ligës, atëherë që nga xhiroja e tetë e Superligës, pagesën e personave zyrtarë do ta bëjnë klubet.
* Meqë përpjekjet për gjetjen e sponsorit të ri janë duke vazhduar, klubet urdhërohen që të rezervojnë hapësirën për marketing të ligës, sipas Propozicioneve të Garave dhe udhëzuesit për marketing, që do t’u dërgohet ndërkohë.
* Bordi miratoi listën e gjyqtarëve, vëzhguesve dhe kontrollorëve, të dërguar nga SHGJFBK.
* Bordi miratoi propozimin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Komesarit të Kategorive të Reja për shtyrje të miratimit të sistemit të garave për këto kategori për shkak të vonesës në përmbushje të kritereve për licencim dhe dyshimit të pjesëmarrjes në gara për ekipet e grupmoshave të reja të KB Drita dhe KB Kastrioti.