Në bazë te nenit 9 të Rregullores mbi punën e Komisionit Arbitrar dhe Ankesës, Nr.189 të dt.25.05.2015 (Ref):18/2015, Komisioni Arbitrar në përbërje, Halit Muharremi, Kryetar, Asdren Hoxha dhe Artan Qerkini, anëtarë, në mbledhjen e mbajtur më dt.26.05.2015 mori këtë:
VENDIM
Aprovohet pjesërisht Ankesa e KB Peja, Nr.189 e dt.25.05.2015 në mënyrën si në vijim:
Mbetet në fuqi, dënimi me gjobë në shumë prej 2.000,00 Euro.
Refuzohet Ankesa e KB Peja që ka të bëjë me anulimin e ndeshjeve 2:1 për KB Sigal Prishtina.
Pika I e vendimit te Komisionit Disiplinor Nr.185, që ka të bëjë me diskualifikimin nga garat e mëtutjeshme në ETC Superligë dhe rënie në një rang më të ulët të garave të “KB Peja” dhe pika IV e të njejtit vendim që ka të bëjë me masën disiplinore, ndalim i ushtrimit të detyrës në kohëzgjatje prej 1 viti për z. Gazmend Pupovci i kthehen Komisionit Disiplinor në rivendosje.
ARSYETIM
Fillimisht, Komisioni Arbitrar, analizoi, afatshmerinë e Ankesës së shqyrtuar edhe konstatoi se e njëjta është ushtruar brenda afatit të përcaktuar me rregulloret në fuqi.
Pretendimet Ankimore te KB Peja, kanë të bëjnë me mosaplikimin e nenit 20 te Rregullave të Lojës së Basketbollit, (FIBA) të aprovuara më dt.02.02.2014, Barcelonë - Spanjë të cilat sipas Ankuesit, është dashur ti ketë parasysh, Komisioni Disiplinor me rastin e marrjes së vendimit të atakuar.
Pavarësisht nga pretendimet ankimore, Komisioni Arbitrar kujdeset sipas detyrës zyrtare për aplikimin e drejtë të rregulloreve dhe akteve normative në fuqi.
Duke shqyrtuar pretendimet ankimore, Komisioni Arbitrar arriti në përfundim se në rastin konkret, ankesa e KB”Peja”, që ka të bejë me ritkthimin e ndeshjeve të serisë finale të play-off-it është jolëndore, sepse vendimi i Komisionit Disiplinor i atakuar me ankesë nuk ka të bëjë fare me regjistrimin zyrtar të ndeshjes së serisë finale të play-off-it në edicionin garues 2014/2015.
Po ashtu Komisioni Arbitrar e vlerësoi të drejtë Vendimin e Komisionit Disiplinor të cekur më lartë për sa i përket vendimit për denimin me gjobë.
Për sa i përket vendimit për diskulifikimin nga garat e mëtutjeshme në ETC Superligë dhe rënie në një rang më të ulët të garave të KB “Peja”, Komisioni Disiplinor nuk ka dhënë arsye për faktet vendimtare dhe për këtë arsye vendimi në fjalë konsiderohet i paekzaminueshëm.
Komisioni Disiplinor i FBK-së bënë vetëm një përshkrim të provave të shqyrtuara duke mos bërë fare edhe vlerësimin e tyre. Një prej elementeve esenciale të një vendimi të arsyetuar është vlerësimi i provave, e jo vetëm përshkrimi mekanik i tyre. Në pjesën arsyetuese të vendimit duhet të përcaktohet në mënyrë të qartë se çfarë vlere provuese ka secila provë, po ashtu duhet të vlerësohen provat një nga një dhe të gjitha së bashku, në mënyrë që të verifikohet se për cilat shkaqe Komisioni Disiplinor ka vendosur si në dispozitiv.
Komisioni Arbitrar arsyeton se Komisioni Disiplinor në vendimin e tij duhet të përshkruaj pjesët e deklaratve të vëzhguesit të ndeshjes të datës 19.05.2015; Deklaratën e gjyqtarit kryesor të ndeshjes z. Ivan Milicevic të datës 20.05.2015 si dhe deklaratat tjera dhe të përcaktojë se në çfarë mënyrë këto deklarata ndërlidhen me zbatimin e akteve normative të FBK-së të cituara në vendimin e tyre.
Në mënyrë të posaçme, Komisioni Arbitrar potencon faktin se me rastin e marrjes së vendimeve kapitale Komisioni Disiplinor duhet në mënyrë specifike ti peshojë rrethanat lehtësuese dhe ato rënduese të cilat në rastin konkret fare nuk përmenden në vendimin e Komisionit Disiplinor. Për trajtimin specifik të fakteve me rastin e matjes së dënimit neni 23 i Rregullores Disiplinore, parashikon si në vijim :
“Me rastin e matjës së dënimit merren parasysh të gjitha rrethanat që ndikojnë që dënimi të jetë më i madh ose më i vogël, veçanërisht pesha e kundërvajtjes dhe pasojat, shkalla e përgjegjësisë e kryrësit, nxitjet e brendshme, rrethanat në të cilat është kryer kundërvajtja, qëllimi i shprehur, vetitë morale dhe qëndrimi i kryesit pas veprimit të bërë” .
Komisioni Arbitrat nuk gjeti se në pjesën arsyetuese të vendimit të Komisionit Disiplinor është aplikuar saktë dhe në mënyrë korrekte dispozita e nenit 23 të Rregullores Disiplinore.
Komisioni Arbitrar ex-officio kujdeset për shkeljet me rëndësi esenciale të dispozitave procesurale. Në këtë drejtim edhe pse KB “Peja”nuk e thekson në ankesën e saj, Komisioni Arbitrar gjenë se pika IV e vendimit të Komisionit Disiplinor që ka të bëjë me përfaqësuesin zyrtar të KB “Peja” ëshë kundërthënëse. Në këtë pikë z. Gazmend Pupovcit i shqiptohet masa disiplinore “ndalim i ushtrimit të detyrës, në kohëzgjatje prej një viti”, ndërsa në pjesën arsyetuese të vendimit thuhet se nga Komesari i Garave është propozuar që ndaj z. Gazmend Pupovcit zyrtar i KB “Peja” të inicohet procedura disciplinore. Prandaj, nuk është qartë se pse Komisioni Disiplinor nuk inicoi procedurë disiplinore, por vendosi që z. Pupovci t'ia shqiptojë masën disiplinore të ndalimit të ushtrimit të detyrës, në kohëzgjatje prej një viti.
Komisioni Arbitrat potencon faktin se gjatë rivendosjes, Komisioni Disiplinor përveç dispozitave të cekura në vendimin fillestar duhet të marr parasysh edhe nenin 16 pika 6 dhe nenin 21 të Rregullores Disiplinore dhe pas administrimit të drejtë të provave të bie një vendim të ligjshëm.
KOMISIONI ARBITRAR
Halit Muharremi
_______________
Kryetar
Asdren Hoxha-Anëtar
________________
Artan Qerkini- Anëtar
________________
TI DERGOHET:
1X Komisionit Disiplinor,
1 x KB Peja - Peje
1 x arkivit te FBK-së