Sonte nga ora 20:30 në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec zhvillohet finalja e madhe e Kupës ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Pejës.
Nëse Ylli do të fitojë Kupën, atëherë do të jetë e para në histori, kurse për Pejën do të ishte hera e gjashtë. Ylli për të arritur finalen ka mundur Sigal Prishtinën dhe Bashkimin, derisa Peja ka eliminuar Ponte Prizrenin dhe Rahovecin.
Atmosfera në Kupë ka qenë e jashtëzakonshme këto ditë gjatë zhvillimit të Final 8 dhe kështu pritet edhe sonte.
Një nga lojtarët më të dalluar të skuadrës therandase këtë edicion është Valon Bunjaku. Ai flet për rëndësinë që ka kjo ndeshje për verdhezinjtë. “Synimet tona që nga fillimi kanë qenë që të arrijmë në finalen e Kupës dhe “Play-off”-it. Pasi që arritëm në finalen e Kupës, synimi është që të fitojmë Kupën dhe të shkruajmë historinë me Golden Eagle Ylli dhe t’i gëzojmë tifozët ‘Xhebrailat’, e posaçërisht qytetarët e Therandës. Është ndeshje shumë e rëndësishme, pasi që çdo finale e ka rëndësinë e vet. Kemi punuar mjaft për të arritur deri këtu dhe shpresoj që edhe me përkrahjen e Xhebrailave do të shpërblehemi në fund me Kupë”, ka thënë Bunjaku për faqen zyrtare të FBK-së.
Trofeun e Kupës e dëshiron edhe Peja. Drilon Hajrizi shprehet se do të japin maksimumin në finale. “Ju kemi qasur çdo ndeshje shumë seriozisht nga fillimi deri në fund. Kështu besoj se do të jetë edhe sonte. Fillimisht shpresoj se do të kemi një ndeshje të mirë me atmosferë të bukur të basketbollit. Ne do të japim maksimumin, sepse është një ndeshje shumë me rëndësi për ne. Shpresoj se në fund do të gëzohemi ne dhe trofeun e Kupës ta sjellim në Pejë. Ky trofe ka shumë rëndësi, si për klubin, ashtu edhe për lojtarët dhe tifozët. Andaj shpresoj se do të triumfojmë ne në fund”, deklaroi Hajrizi për faqen zyrtare të FBK-së.