Z Mobile Prishtina sot me fillim nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë është nikoqire e ekipit turk Pinar Karsiyaka në kuadër të xhiros së fundit të Grupit I në FIBA Europe Cup.
Z Mobile Prishtina zë vendin e katërt në renditjen tabelare të Grupit I me me 6 pikë, aq sa ka edhe Szolnoki Olaj që është në vendin e tretë. Në pozitën e parë është s. Oliver Wurzburg me 10 pikë (bilanc maksimal) dhe në të dytën është Pinar Karsiyaka me 8, skuadra këto që tashmë e kanë siguruar kualifikimin për në TOP 16 të FIBA Europe Cup.
Së fundi një njoftim i arritur nga FIBA në adresë të Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Z Mobile Prishtinës thuhet se tri ekipet e eliminuara nga Basketball Champions League nuk janë të interesuara të vazhdojnë garimin në FIBA Europe Cup, dhe kështu është krijuar mundësia që skuadra të treta nga grupet e FIBA Europe Cup të shkojnë tutje.
Në këtë mënyrë Z Mobile Prishtina, prej skuadrës që i kishte humbur të gjitha shpresat për kualifikim tutje, pasi që me rregullat e deritashme të FIBA-s vetëm dy ekipe e sigurojnë vendin në TOP 16, është bërë skuadër që i janë ngjallur shpresat për të siguruar një vend në fazën e ardhshme të FIBA Europe Cup. Dhe për të arritur këtë Z Mobile Prishtina duhet ta mposht sonte ekipin turk Pinar Karsiyaka dhe po ashtu Szolnoki Olaj duhet të humbas në shtëpi në Hungari nga skuadra gjermane s. Oliver Wurzburg.
Në ballafaqimin e parë të luajtur në Turqi në mes Pinar Karsiyaka-s dhe Z Mobile Prishtinës fitore patën shënuar nikoqirët me 22 pikë epërsi (107:85).