Një nga skuadrat që ka bërë mirë në këtë edicion në basketbollin e Kosovës është Golden Eagle Ylli.
Skuadra therandase ka zhvilluar ndeshje shumë të mira në elitën e basketbollit, kurse tani është përqendruar në garat e Kupës që fillojnë të martën në qytetin e Rahovecit.
Therandasit do të përballen me Sigal Prishtinën në çerekfinale të Final 8, që është fituese e fundit e Kupës.
Një nga lojtarët që ka shkëlqyer te Ylli në këtë edicion është Samir Zekiqi. Basketbollisti i Kosovës ka folur për synimet në garat e Kupës.
“Ne jemi përgatitur maksimalisht për garat e Kupës. Synimet tona janë gjithmonë që të fitojmë, sepse e kemi cilësinë. Gjithashtu atmosfera në skuadër dhe në qytetin e Therandës është e mrekullueshme. Kemi trajnerin më të mirë në ligë dhe do të luftojmë deri në fund, që të fitojmë dy trofetë e basketbollit kosovar”, është shprehur Zekiqi për faqen zyrtare të FBK-së.
Ndeshjet e para të Final 8 zhvillohen nga 11 shkurti, derisa finalet në të dy konkurrencat do të zhvillohen më 15 shkurt.
Kjo është hera e dytë radhazi që Final 8 i Kupës do të mbahet në qytetin e Rahovecit.