Sot kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu dhe anëtari i Bordit, Valton Bilalli janë pritur në një takim nga kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku dhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Shpresa Rama. Në takim të pranishëm ishin edhe trajnerët vushtrrias, Arjanit Morina dhe Arsim Berisha.
Arsyeja e këtij takimi ka qenë propozimi i Memorandum Bashkëpunimit nga krerët e FBK-së për kryetarin Mulaku në interes të zhvillimit të basketbollit ndër kategori të reja në Komunën e Vushtrrisë. Në bazë të Memorandum Bashkëpunimit të propozuar nga FBK për kryetarin Mulaku, Komuna e Vushtrrisë duhet të marr përsipër sigurimin e një palestre sportive dhe duhet të marr përsipër mbulimin e shpenzimeve të një trajneri që do të punojë me kategori të reja (meshkuj dhe femra). Ndërkaq FBK do të merr përsipër mbikëqyrjen e punës së shkollës së basketbollit nëpërmjet koordinatorit të saj për kategori të reja, trajnerit amerikan, Chris Dial.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku u ka premtuar krerëve të FBK-së se do të bëjë të pamundurën për të siguruar kushtet e kërkuara nga ky Memorandum Bashkëpunimi dhe në parim të dyja palët janë pajtuar, ndërsa tashmë pritet që gjithçka të zyrtarizohet në javën e ardhshme.
Në anën tjetër kryetari i FBK-së, Erolld Belegu është shprehur i entuziazmuar me përkrahjen që e ka hasur nga kryetari Mulaku për këtë projekt, i cili për federatën dhe basketbollin kosovar në përgjithësi do të thotë shumë, duke e marr parasysh faktin se gjeneratat e reja janë prioritet për FBK-në.
“Ne e falënderojmë kryetarin Bajram Mulaku për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për ndihmën e dhënë në zhvillimin e basketbollit në Vushtrri. Ne jemi të bindur se nëpërmjet këtij projekti vetëm sa do ta thellojmë edhe më shumë këtë bashkëpunim, i cili ka të bëjë me rritjen e interesimit, por edhe me ngritjen e cilësisë së basketbollit ndër djem dhe vajza të reja në Vushtrri”, është shprehur ndër të tjera numri 1 i FBK-së.