Të shtunën, ora 17:00 Trepça vs AS Prishtina

12.12.2020 SUPERLIGA
12.12.2020 SUPERLIGA
13.12.2020 SUPERLIGA
12.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT
13.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT
13.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT

HISTORIKU

Federata e Basketbollit e Kosovës ose shkurt FBK, është themeluar në vitin 1991, derisa kryetar i parë në Kuvend ishte zgjedhur Isuf Lumi.

Federata e Basketbollit e Kosovës, është instanca më e lartë në vend për sportin e basketbollit. Është e përbërë nga Kuvendi, Bordi, Zyra Ekzekutive, klubet e basketbollit, shoqatat, komisionet dhe këshillat e ndryshme. 

Qëllimi kryesor i FBK-së është zhvillimi i basketbollit, krijimi i basketbollistëve/ve, gjyqtarëve dhe trajnerëve. 

Nga paslufta e deri në ditët e sotme FBK ka pasur katër (4) kryetarë të ndryshëm. Deri në vitin 2006 kryetar i FBK-së ishte Behlul Beqa, nga viti 2006 e deri më 2010 ky institucion ishte nën udhëheqjen e Erolld Belegut, kurse Belegun e pasoi Fatmir Gashi. Më pas Belegu sërish u bë kryetar, derisa nga viti 2018, Federata udhëhiqet nga Arben Fetahu.  

Momentalisht janë nëntë (9) skuadra në Superligën e meshkujve, nëntë (9) skuadra në Ligën e Parë, dhjetë (10) skuadra në Ligën e Dytë, si dhe gjashtë (6) skuadra në Superligën e Femrave dhe gjashtë skuadra në Ligën e Parë të Femrave (6). 

Gjithashtu nën ombrellën e FBK-së janë edhe Ligat U18, U16, U14 dhe U12, në të dyja konkurrencat. 

Si filloi basketbolli në Kosovë?

Topi i basketbollit, që Hajrullah Morina e kishte sjellë në Gjakovë nga Torino, ku kishte studiuar besohet se shënon fillimin e basketbollit në Kosovë. 

Thuhet se basketbolli në Kosovë ka filluar të luhet në vitet e 40-ta, por shënime për ndeshje të organizuara ka që nga viti 1945, kur u themelua klubi i parë i basketbollit në Prizren. 

Nga ato pak burime që i kanë shpëtuar kohës mund të kuptohet se rreth Xhevdet Xhihës në Prizren janë mbledhur basketbollistët e parë që ka dhënë Kosova e ndër pioniere numërohen Rexhep Parteshi, Bardhyl Zajmi, Haki Dushi, Qamil Nixha, Mehmet Dobërçani Bashkim e Arsim Fehmiu, Ali Dauti, Rexhai Surroi, Mustafa Shahini, Fehmi Nixha, Bane Zhiviq, Nazim Pula, Fadil Stavileci e të tjerë. 

Themelimi i klubeve pas Luftës së Dytë Botërore dhe vëmendja e entuziazmi e shtruan nevojën për organizim të këtij sporti. Kështu thuhet se Këshilli Iniciues për basketboll është formuar më 1948, kurse më 1949 është mbajtur Kuvendi Themelues i Lidhjes së Basketbollit të Kosovës, ku Kryetar u zgjodh Sahit Zatriqi dhe Sekretar Hazir Tufa. 

 

Kampionati i Parë në formë të turneut 

Kampionati i Parë ka qenë një turne ku kanë marrë pjesë Poleti dhe Proleteri të Prishtinës, Ardhmënia e Pejës, Vëllaznimi dhe Metohija e Prizrenit. 

Që nga ky vit e deri në gjysmën e 50-ave Proleteri, që më pas mori emrin Prishtina luante në Ligën e Serbisë dhe arriti të luajë në kualifikime për Ligën e Dytë të Jugosllavisë. 

Veçori e basketbollit në krahasim me sportet tjera në Kosovë është se paralelisht ka nisur të luhet edhe nga femrat, madje me më shumë suksese sesa tek meshkujt. Ekipi i Prishtinës me lojtare si Rada Zajmi, Kosara Ballabanoviq, Sanja Laziq, Vraniqi, Dimitrijeviq, Llazareviq është formuar më 1948 dhe me sukses ka luajtur në Ligën e Serbisë në vitet e 50-ta.  

Entuziazmi i pasluftës zgjati pak dhe masivizim të basketbollit nuk pati deri në fund të viteve të 60-ta. 

Buduçnosti i Pejës, i prirë me sukses nga Mithat Belegu dhe më vonë Agim Kasapolli 

Vitet e 50-ta dhe të 60-ta në basketbollin e Kosovës lidhen me një klub, Buduçnostin e Pejës. Ky ekip i prirë në fushë nga Mithat Belegu, e më vonë Agim Kasapolli, ishte anëtar standard i Ligës së Dytë Jugosllavisë dhe kishte arritur deri në kualifikime për Ligën e Parë, për të dështuar dy herë në këtë synim. 

Fundi i viteve të 60-ta shënon kohën kur lidhjet e sporteve dhe fizkulturës fillojnë të rekrutojnë personel profesional. Në rastin e basketbollit me ndihmën e Mustafa Rezniqit, Rashit Sejdiut, Esat Stavilecit, Shakir Maksutit, Mehmet Dobërçanit dhe të tjerëve, fillimisht Lidhja e Basketbollit e Kosovës fillon të funksionojë si njësi e pavarur brenda Federatës së Baskebollit të Jugosllavisë dhe që nga fundi i të 60-ave fillon masivizimi i basketbollit. 

Buduçnosti i Pejës vazhdon të jetë ekipi kryesor, por në këtë periudhë Elektro Kosova në Prishtinë fillon krijimin e një gjenerate që garon më sukses në Ligën e Dytë të Jugosllavisë. Në vitet e 70-ta për Elektro Kosovën luajnë Valdet Spahija, Albert Dula, Blerim Vuniqi, Ibrahim Karabeg, Ferit Zekolli, Zufer Avdija dhe shumë të tjerë. Kulmi i kësaj gjenerate ishte ndeshja kualifikuese për Ligën e Parë Federative, por edhe kjo gjeneratë nuk e kaloi pengesën e fundit në rrugën drejt ligës elitare të shtetit të dikurshëm. 

Në Ligën e Parë luajtën Ferit Zekolli për Zarën dhe Zufer Avdija për Crvena Zvezdën. Avdija ishte edhe pjesë e reprezentacionit të Jugosllavisë që në Kolumbi fitoi medaljen e bronztë në Kampionat Botëror, suksesi më i madh i ndonjë basketbollisti të lindur në Kosovë. 

Aty e tutje, ekipet kosovare nuk iu afruan më Ligës së Parë të Jugosllavisë. Në rangun e dytë, që në të 80-at quhej Liga e Parë B, luajtën Trepça, Bashkimi, Prishtina dhe Vëllaznimi, ekipe që sikur mjaftoheshin vetëm më pjesëmarrje. 

 

Atë që meshkujt nuk e bënë, sërish me shumë sukses e bënë femrat

Sidoqoftë, atë që meshkujt nuk e bënë, sërish me shumë sukses e bënë femrat. Themelimi i ekipeve sportive në kuadër të Universitetit të Prishtinës u shpagua më së shumti në rastin e klubit të basketbollit të femrave. 

Universiteti, rreth një lojtareje të nivelit më të lartë Resmije Junikut krijoi ekip me lojtare të tjera të nivelit jugosllav si Xhevahire Mustafa, Shemsije Stublla e Serbeze Perani dhe së bashku me medalisten olimpike, botërore dhe evropiane Jelica Komnenovic, motrën e saj Milicën dhe lojtare të tjera, garoi në Ligën e Parë të Jugosllavisë në pjesën më të madhe të 80-ave. Roli i trajnerëve e posaçërisht Ismet Shumanoviqit dhe Agim Kasapollit është po ashtu i rëndësishëm në sukseset e këtij ekipi. 

Fitorja ndaj Crvena Zvezdës, pasi Zvezda kishte fituar titullin e Kampiones së Evropës në Spanjë është një prej pikave më të ndritshme të kësaj periudhe. 

Për vite me radhë Universiteti ka qenë ndër ekipet me shikueshmërinë më të lartë në Jugosllavi. 

Mithat Belegu, gjyqtari i parë ndërkombëtar në FIBA  

Kuptohet Kosova në Jugosllavi nuk kontribuonte vetëm me klube dhe pjesëmarrje në gara, por edhe në aspekte tjera. Mehmet Dobërçani në periudhën 1981-1982 ka qenë Kryetar i Federatës së Basketbollit të Jugosllavisë. Në atë periudhë Jugosllavia u shpall nënkampione e Evropës, pasi humbi në finale nga Bashkimi Sovjetik. 

Mithat Belegun e përmendëm më herët si lojtarin më të mirë të Kosovës në vitet e 60-ta. Më vonë, njeriu i cili tri herë ishte koshashënuesi më i mirë i Ligës së Dytë të Jugosllavisë u bë gjyqtar federativ kurse më 1978 u bë gjyqtar ndërkombëtar i FIBA-s. 

Me 242 ndeshje në ligat federative të Jugosllavisë, prej të cilave 150 në Ligën e Parë të Meshkujve dhe karrierë ndërkombëtare që e ka dërguar në 4 kontinente të globit dhe në mbi 40 shtete, Mithat Belegu nga Peja me numër të FIBA licencës 3194 është ambasadori më i mirë i basketbollit të Kosovës në kohën e ish Jugosllavisë. 

Në Ligën e Parë të Jugosllavisë ndeshje kanë referuar edhe gjyqtarët Agim Dushi e Valdet Spahija, kurse sipas disa burimeve numërohen 15 gjyqtarë federativë jugosllavë nga Kosova. 

Isuf Lumi, kryetari i parë i FBK-së 

Me shpërbërjen e Jugosllavisë, basketbolli ndoqi rrugën e shoqërisë së Kosovës duke shpallur mëvetësinë dhe duke organizuar gara të pavarura nga ato të shtetit jugosllav. 

Kur thuhet gara të pavarura nënkuptohet gara gati të improvizuara më shumë sakrificë, me ndeshje qe zhvilloheshin në salla të shkollave dhe përtej rezultatit, imperativ kishin mbajtjen gjallë të një ideali dhe të një vazhdimësie të ekzistimit të sportit në një territor teknikisht të okupuar. 

Kështu më 1991, formohet Federata e Basketbollit e Kosovës, e cila ndahet nga Federata e Basketbollit e Jugosllavisë. Kryetar i Parë i FBK-së u zgjodh Isuf Lumi, kurse Sekretar Fadil Dobroshi. 

Kampion i parë i Kosovës është Prishtina, kurse fitues i parë i Kupës së Kosovës është Vëllanzimi. Pas kampionatit të parë, po thuajse e tërë dekada kaloi nën dominim të Pejës, ekipit që u bë tri herë kampion dhe dy herë fitues i Kupës nën udhëheqjen e Valdet Spahisë si trajner. 

Basketbolli në Kosovë nuk u luajt në kohë lufte, kurse më 1999 basketbollistët dhe tifozët iu kthyen sallave të sportit, ku e kishin të ndaluar hyrjen për tetë vjet. 

Vitet e para të pasluftës me entuziazëm dhe shikueshmëri shumë të madhe 

Kampionatet e para të pasluftës, mungesën eventuale në cilësi e kompensonin me entuziazëm të madh dhe shikueshmëri edhe më të madhe. 

Rritja e basketbollit në vitet e pas luftës është një prej tregimeve më të suksesshme jo vetëm sportive në Kosovë. Brenda katër-pesë viteve nga një ligë gjysmë profesionale, liga e Kosovës shndërrohet në garë ku u paraqitën yje të NBA-it si Acie Earl, James Scott dhe yje të Euroligës si Vedran Bosniq, Davor Pejcinovic e Ivica Mariq dhe lojtarë nga po thuajse secila ligë e fortë në Evropë. 

Fituesi i medaljes së bronztë në Kampionat Botëror si trajner dhe një prej më të mirëve që ka pasur Jugosllavia si lojtar Josip Gjergja punoi në Kosovë një sezon, kurse Vllado Vanjak, Ekrem Memnun, Ali Burgul e Boris Kurtovic janë disa trajnerë të njohur në Evropë që punuan në Kosovë në këtë kohë. 

Entuziazmi i pesë viteve të para të pasluftës, që rezultoi edhe me krijimin e ligës elite ndaras nga federata për vetëm një sezon, filloi të shuhet në mungesë të mundësisë së pjesëmarrjes në gara ndërkombëtare. 

Vitet 2000 më pas përshkohen me dominim total të Sigal Prishtinës, ekipi që në periudhën 2000-2014 u bë 9 herë kampion dhe 10 herë fitues i Kupës, kryesisht nën udhëheqjen e Arben Krasniqit si trajner dhe me Edmond Azemin si lojtarin më të trofeshëm dhe me më së shumti paraqitje në histori të klubit. 

Universiteti (Femrat) ekipi i parë që e theu barrierën shumëvjeçare

Tradita që femrat të bëjnë atë që meshkujt nuk munden, vazhdoi edhe pas luftës. Universiteti, në tentim për tu kthyer në ditët e lavdishme të kohës së ish Jugosllavisë i pari klub e theu barrierën shumë vjeçare dhe e përfaqësoi Kosovën në një garë ndërkombëtare. 

Në sezonin 2003/2004 Universiteti luajti në Ligën Rajonale Trocal, në atë kohë ndër më të fortat në Evropë dhe u kualifikua në Final Four të kësaj lige. 

Mirëpo, kjo aventurë zgjati një vit dhe më pas basketbolli i femrave në Kosovë pati një ngecje në zhvillim, pasojat e së cilës ndjehen sot e kësaj dite, por që gjërat kanë filluar të përmirësohen në dy vitet e fundit (2018-2019). 

Se si vazhdoi Kosova të mbajë kampionat të vetin dhe gara të gjitha niveleve për më shumë se 20 vjet duke mos qenë pjesë e organizmave ndërkombëtarë është një mrekulli dhe për këtë merita kanë të gjithë ata që në këtë periudhë kontribuuan në basketboll. 

Nuk është se përpjekjet për ndërkombëtarizim kanë munguar. FBK-ja për herë të parë i është drejtuar FIBA-s më 1993 dhe pas luftës ky komunikim është shtuar. 

Më 2008, një delegacion i FIBA-s edhe viziton Kosovën dhe bindet për basketbollin e këtushëm, por për ndërkombëtarizim duhet të pritej edhe shumë kohë. 

Sinjalet e para se ndërkombëtarizimi ishte afër u konfirmuan kur Streetball Kosova u njoh më 2013 nga FIBA dhe turnetë e organizatës Streetball Kosova u futën në kalendarin e FIBA-s dhe një ekipi të Streetbollit nga Kosova iu mundësua të garojnë në turne të FIBA 3x3. 

Hapi i dytë i madh u bë nëpërmjet Ligës Ballkanike (BIBL). Që nga sezoni 2013/14 ekipet kosovare e fituan të drejtën të paraqiten në këtë garë, që për basketbollin e Kosovës ishte një prej impulseve më të fuqishme të zhvillimit në vitet e fundit.  

Serioziteti i klubeve të Kosovës u dëshmua nga Sigal Prishtina, që organizoi Final Fourin e ligës BIBL në Prishtinë edhe pse ishte debutuese në këtë ligë. 

Hap tjetër i rëndësishëm ishte vizita e delegacionit Erolld Belegu, Kryetar, Jeton Nixha Sekretar i Përgjithshëm dhe Arben Fetahu, anëtar i Bordit në selinë e FIBA-s në Gjenevë në shkurt të vitit 2014. 

FBK më 13 Mars 2015 u bë anëtarja e 215-të e FIBA-s 

Megjithatë, dyert për pranim të plotë të basketbollit të Kosovës u hapën në momentin që Komiteti Olimpik Ndërkombëtar njohu Komitetin Olimpik të Kosovës. 

Vitet e tëra të punës, takimet e shumta, email-et dhe shkresat e panumërta dhe mbi të gjitha mundi i lojtarëve, trajnerëve, gjyqtarëve, punëtorëve sportivë dhe krerëve të FBK-së tani mund të kurorëzohej me pranim dhe FBK-ja nuk humbi kohë. 

Pas takimeve në Stamboll në tetor të vitit të kaluar, u vendos të punohet aplikacioni për anëtarësim nga Arben Fetahu dhe Leart Hoxha nën udhëheqjen e Kryetarit të Federatës së Basketbollit të Kosovës, Erolld Belegut. 

Delegacioni i prirë nga Kryetari Erolld Belegu, në përbërjen e të cilit ishin Leart Hoxha – Sekretar i Përgjithshëm, Arben Fetahu e Valton Bilalli dorëzoi aplikacionin për anëtarësim në FIBA më 5 shkurt 2015. 

Përgjigja erdhi më 13 mars, pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të FIBA, që me votim unanim e pranoi Federatën e Basketbollit të Kosovës si anëtaren e vet të 215-të. 

Pranimi në FIBA i mundëson Kosovës përfaqësim ndërkombëtar pas një çerek shekulli izolim dhe hap mundësi të zhvillimit të basketbollit që Kosova nuk i pasur asnjëherë. 

Kjo gjeneratë e basketbollistëve dhe kjo udhëheqësi e FBK-së mbi vete mbajnë peshën e 70 vjetëve basketboll në Kosovë dhe dëshirat e mohuara për 24 vjet të gjata në izolim. 

Në këtë stad, nevojitet punë e madhe dhe ekipore nga të gjithë të përfshirët në basketbollin e Kosovës. 

Mirëpo, rastet e këtilla janë ato kur duhet kujtuar kontributin dhe punën e gjeneratave të kaluara, kur duhet falënderuar të gjithë punën e tyre dhe kur duhet premtuar punë të madhe tash e tutje. 

Kosova është krenare që është pjesë e FIBA-s dhe e vendosur që ta bëjë FIBA-n krenare që e ka Kosovën në gjirin e vet. 

Historia e Pavarësimit dhe hapat e parë 

Edhe basketbolli si shumë sporte të tjera, nuk dëshiroi që të jetë nën ombrellën e Serbisë dhe nga viti 1991 funksionoi i pavarur. Aktivitetet e para përgatitore për pavarësimin e basketbollit të Kosovës, datojnë nga mesi i vitit 1999. Të shumtë ishin personat që u angazhuan për formimin e Shoqatës së Pavarur të Basketbollit të Kosovës, ku kryesia e parë e saj ishte në këtë përbërje: Isul Lumi kryetar, Agim Kasapolli, Ferid Zekolli, Agim Visoka, Besim Imrihori, Bardhyl Nushi dhe Fadil Dobroshi – anëtarë, kurse sekretar u zgjodh Fadil Dobroshi. Për garat e para u paraqitën këto klube: Prishtina, Trepça, Besa, Vëllaznimi, Bashkimi, Konasporti, Ylli, Kastrioti, Lepenci, Drita, Besiana dhe Llamarina. Sidoqoftë, për shkak të problemeve financiare nuk morën pjesë: Kastrioti, Drita, Lepenci dhe Llamarina.  

Ndeshja e parë zyrtare u zhvillua ndërmjet Besianës dhe Yllit në Bellanicë (9 nëntor 1991), ndeshje që e fitoi Besiana 54:47, derisa pikët e para i shënoi Naim Lepaja. Ky takim u zhvillua në rrethana të jashtëzakonshme, sidoqoftë, ishte fillimi i garave dhe një faqe të re për basketbollin e Kosovës. Në ndeshjen e parë gjyqtarë ishin Tajar Rifati dhe Agim Visoka, derisa vëzhgues Fadil Dobroshi. Në kampionatin e parë morën pjesë: Konasporti dhe Bashkimi i Prizrenit, Besiana e Podujevës, Ylli i Therandës, Besa e Pejës, Prishtina, Trepça e Mitrovicës dhe Vëllaznimi i Gjakovës. Garat u zhvilluan në formë të turneut, derisa katër skuadrat më të mira u kualifikuan në Play-off.  Kampion i parë pas pavarësimit të basketbollit ishte Prishtina, që në finale mundi Vëllaznimin 75:74, në një ndeshje shumë interesante. Besim Maxhuni ishte më i dalluari te Prishtina me 27 pikë, kurse te Vëllaznimi u dallua Vllaznim Rraci me 21 sosh. Skuadra gjakovare fitoi Kupën, duke mundur në finale Besën 72:68.  

Gjithashtu në këtë edicion filluan garat edhe te femrat, ku ndeshja e parë u zhvillua në mes Yllit dhe Bashkimit në Mitrovicë, më 27 qershor 1992, takim që përfundoi me fitoren e vashave prizrenase 50:34. Më pas filluan garat edhe Juniorët dhe Liga e Dytë. Basketbollisti më i mirë i edicionit 1991-92 ishte shpallur Kastriot Zherka i Vëllaznimit, Masar Nixha –trajneri më i mirë, Mehdi Gashi – gjyqtari më i mirë. Pas zhvillimit të disa kampionateve Përfaqësuesja e Kosovës zhvilloi edhe miqësoren e parë me Kombëtaren shqiptare, në Tiranë, në qershor të vitit 1996. Edhe pse u zhvillua pas shumë vështirësive ndeshja u zhvillua dhe përfundoi me fitoren e kuqezinjve 111:80. Pas fillimit të luftës në Kosovë, pasojat u ndien edhe në basketboll. Kësisoj kampionati u ndërpre në janar të vitit 1998.  

 

Kampionët e Kosovës paraluftës (M) 

1991-92 Prishtina 

1992-93 Trepça 

1993-94 Peja 

1994-95 Peja 

1995-96 Peja 

1996-97 Drita 

  

Paslufta 

Pasluftës filloi veprimtarinë e saj basketbolli, ashtu si edhe sportet tjera. Kampionati i ri filloi më 23-24 tetor 1999 në Prishtinë, ku ndeshja e parë ishte Prishtina-Bashkimi, derisa ndeshja e parë në Ligën e Femrave ishte në mes Universitetit dhe Bashkimit. Gjithashtu më 27 nëntor 1999 u zhvillua ndeshja miqësore mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku këtë ndeshje e fitoi Kosova 111:70. 

Më 1999 kampion u shpall Trepça te meshkujt dhe Universiteti te femrat. Më 27-28 nëntor 2000 u zhvilluan edhe katër ndeshje miqësore mes Shqipërisë dhe Kosovës, te femrat, si dhe te juniorët (M). Dy takimet e para i takuan Shqipërisë, derisa në ndeshjet e dyta, fitoi Kosova (F) 65:72, si dhe juniorët 78:102. 

Më pas u zhvilluan edhe disa ndeshje miqësore mes Kosovës e Shqipërisë. Garat u zhvilluan normalisht, derisa interesimi për basketboll ishte i jashtëzakonshëm, me disa skuadra që luftonin për tituj e kishte shumë investime në basketbollin e Kosovës. Deri në vitin 2019, Prishtina është skuadra më e trofeshme me 13 tituj të kampionit, Peja ka gjashtë tituj, Trepça tre, Bashkimi një, Mabetex një dhe Drita një. Edhe te Kupat prin Prishtina me 14 trofe.   

 

Kampionët pasluftës (M) 

1999-2000 Trepça 

2000-01 Trepça 

2001-02 Prishtina 

2002-03 MEB Prishtina 

2003-04 Kastrioti (LPBK Dukagjini) 

2004-05 Mabetex 

2005-06 Sigal Prishtina 

2006-07 Sigal Prishtina 

2007-08 Sigal Prishtina 

2008-09 Sigal Prishtina 

2009-10 Sigal Prishtina 

2010-11 Sigal Prishtina 

2011-12 Trepça 

2012-13 Peja 

2013-14 Sigal Prishtina 

2014-15 Sigal Prishtina 

2015-16 Sigal Prishtina 

2016-17 Sigal Prishtina 

2017-18 Bashkimi 

2018-19 Z Mobile Prishtina 

 

Fituesit e Kupës (M) 

1991/92 Vëllaznimi 

1992/93 Trepça 

1993/94 Peja 

1994/95 Peja 

1995/96 Vëllaznimi 

1996/97 Peja 

1997/98 – garat janë ndërprerë 

1999/2000 Trepça 

2000/01 Bashkimi 

2001/02 Prishtina 

2002/03 MEB Prishtina 

2003/04 Trepça 

2004/05 Sigal Prishtina 

2005/06 Sigal Prishtina 

2006/07 Sigal Prishtina 

2007/08 Sigal Prishtina 

2008/09 Sigal Prishtina 

2009/10 Sigal Prishtina 

2010/11 Peja 

2011/12 Trepça 

2012/13 Sigal Prishtina 

2013/14 Sigal Prishtina 

2014/15 Peja 

2015/16 Sigal Prishtina 

2016/17 Sigal Prishtina 

2017/18 Sigal Prishtina 

2018/19 Z Mobile Prishtina 

 

Kampionët e Kosovës (F) 

1999-2000 Bashkimi 

2000-01 Universiteti 

2001-02 Universiteti 

2002-03 Universiteti 

2003-04 Universiteti 

2004-05 Universiteti 

2005-06 Universiteti

2006-07 Bashkimi 

2007-08 Bashkimi 

2008-09 Bashkimi 

2009-10 Bashkimi 

2010-11 Penza 

2011-12 Penza 

2012-12 Sigal Prishtina 

2013-14 Sigal Prishtina 

2014-15 Prishtina 

2015-16 Prishtina 

2016-17 Penza 

2017-18 Bashkimi 

2018-19 Prishtina 

 

Fituesit e Kupës (F) 

1997/98 Bashkimi 

1999/2000 Universiteti 

2000/01 Universiteti 

2001/02 Universiteti 

2002/03 Universiteti 

2003/04 Universiteti 

2004/05 Universiteti 

2005/06 Universiteti 

2006/07 Bashkimi 

2007/08 Bashkimi 

2008/09 Bashkimi 

2009/10 Penza 

2010/11 Penza 

2011/12 Penza 

2012/13 Penza 

2013/14 Penza 

2014/15 Prishtina 

2015/16 Penza 

2016/17 Pro Bet Prishtina 

2017/18 Prishtina 

2018/19 Prishtina 

  

Pranimi në FIBA 

Kosova bëri shumë përpjekje për tu pranuar në FIBA, megjithatë, drita e gjelbër, arriti vetëm në mars të vitit 2015. Rruga ishte e gjatë dhe shumë e mundimshme, por Kosova arriti qëllimin e saj, duke u bërë anëtarja e 215-të e FIBA-s. Po në maj të vitit 2015, FBK-ja u bë anëtare e FIBA Evropës. Në Asamblenë e mbajtur në Maltë, Kosova u bë anëtarja e 52-të, derisa në këtë asamble morën pjesë kryetari Erolld Belegu dhe anëtari Bordit, Arben Fetahu.  

 

Ekipi Kombëtar 

Pas pranimit në arenën ndërkombëtare, grupmoshat e Kosovës filluan të marrin pjesë në garat ndërkombëtare, derisa Kosova A, mori pjesë për herë të parë në kualifikimet për “Eurobasket 2017”. 

Tashmë grupmoshat U16, U18, U20, në të dyja konkurrencat marrin pjesë rregullisht në arenën ndërkombëtare, derisa si sukses veçohet triumfi i Kosovës U18 (M) në Divizionin C, që u mbajt në Prishtinë më 2018. 

Organizimi ishte në nivel, ashtu siç ishte Kampionati Evropian, Divizioni B, për femra U20, që u mbajt më 2019 në Prishtinë. 

Sukses historik konsiderohet kalimi i Kosovës A në mesin e 32 Kombëtareve më të mira në kualifikimet për Kupën e Botës më 2017. 

Kosova në parakualifikime ishte në grup me Estoninë dhe Maqedoninë, duke u renditur e dyta, pas Estonisë dhe para Maqedonisë.  

 

Garat ndërkombëtare 

Para ekipeve Kombëtare kishin debutuar skuadrat në garat ndërkombëtare. Skuadra që e ‘theu akullin’ ishte Universiteti i Prishtinës më 2004, duke u renditur e katërta në Ligën Rajonale Trocal. 

Në edicionin 2019-2020 po merr pjesë Mabetex Prishtina në grupet e FIBA Euro Cup Women. 

Te meshkujt, skuadrat morën pjesë fillimisht në Ligën Ballkanike, më 2013-14. Pjesë e kësaj lige ndër vite ishin Prishtina, Peja, Bashkimi, Trepça dhe Rahoveci. 

Prishtina arriti suksesin më të madh, duke u shpallur dy herë kampion i kësaj lige. Më 2015, Prishtina ishte skuadra e parë kosovare që mori pjesë edhe në FIBA Europe Cup, derisa më 2018 arriti suksesin më të madh, duke hyrë në top 16. 

Bardhekaltrit gjithashtu kanë marrë pjesë në kualifikimet për Ligën e Kampionëve. Edhe Peja ka marrë pjesë në FIBA Europe Cup, derisa Rahoveci mori pjesë në kualifikime.