Sigal Prishtina e ka regjistruar fitoren e pestë radhazi në Grupin D në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL). Kampionët e BIBL-it e kanë mposhtur në Sofje të Bullgarisë të mërkurën skuadrën e Levski 2015 me rezultat 103:75 dhe kështu e kanë siguruar pozitën e parë në këtë grup.Kjo do të thotë se ndeshja kundër Pejës për bardhekaltrit, e cila është në program për mesjavën e ardhshme nuk do të jetë e rëndësishme për renditjen e tyre, por do të jetë e tillë për Pejën. Në përgjithësi Prishtina e ka pasur një natë shumë të mirë sa i përket gjuajtjeve, gjë që i ka ndihmuar ekipit të krijojë epërsi të thellë qysh në pjesën e parë dhe më pas në të dytën arritën ta ruajnë këtë avantazh me sukses, andaj krejt në fund triumfuan me 28 pikë dallim.
Pas epërsisë së Levski-t 3:2, Prishtina ka filluar të tregojë pse ekipi është në formë të mirë dhe pse nuk e ka regjistruar asnjë humbje në vitin 2016. Bardhekaltrit shumë shpejt janë kundërpërgjigjur me 22:6. Dardan Berisha ishte ai që shënoi 4 trepikësha, kurse Willie Kemp realizoi 2 trepikësha. Më pas bullgarët ia dolën ta menaxhojnë lojën mirë për tre minuta dhe e zvogëluan disavantazhin në 7 pikë, por më Prishtina sërish arriti në +11 pikë. Pas kësaj prishtinasit ia dolën mjaft mirë ta kontrollojnë epërsinë dhe në pushim shkuan me +23. Në pjesën e parë Prishtina shënoi 12 trepikësha nga 18 tentime, kurse Berisha realizoi 6 prej 9 gjuajtjeve. Në anën tjetër Levski nga 18 tentime shënoi vetëm 3 trepikësha dhe kjo tregon më së miri për dallimin e forcave në parket.
Bullgarët startuan mirë në pjesën e dytë me seri 15:5 dhe e zvogëluan epërsinë në 13 pikë për pesë minuta. Mirëpo Prishtina nuk lejoi që më tutje të vazhdojë kjo seri dhe kështu vazhduan të udhëheqin me qetësi në rezultat. Në periudhën e fundit nikoqirët u munduan të afrohen dhe ia dolën që për gjashtë minuta të arrijnë në - 11 pikë, por bardhekaltrit u kundërpërgjigjën shumë shpejt dhe Berisha ishte ai që doli sërish në skenë me trepikëshat e tij, duke qenë kështu i pandalshëm për bullgarët e Levski-t.
Dardan Berisha në këtë mbrëmje pati një paraqitje fantastike, duke e përmbyllur ndeshjen me 42 pikë, 6 kërcime, 4 asistime e 4 topa të vjedhur. Ai ka realizuar 8 trepikësha nga 14 tentime. Thjesht ai ishte i pandalshëm.
Andrew Warren ka kontribuar me 23 pikë dhe Jason Washburn me 18 pikë e 6 kërcime.
Te Levski më efikasit ishin Aleks Simeonov me 20 pikë, 10 kërcime e 6 asistime, kurse Krum Doychinov ka shtuar 17 pikë e 5 kërcime, derisa Stanislas Slaveykov ka kontribuar me 14 pikë.