Ndeshja e tretë finale e “play-off”-it në ETC Superligën e Kosovës në mes Sigal Prishtinës dhe Pejës do të zhvillohet sonte me fillim nga ora 20:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet.
Në takimin e parë të luajtur në Prishtinë fitore bindëse kanë regjistruar bardhekaltrit me shifrat 92:73. Verdhezinjtë ia dolën të triumfojnë në duelin e dytë në “Karagaçi” me rezultat 80:72. Pra tani rezultati në seri është 1:1 dhe gjithçka nis nga zero për të dyja skuadrat.
Sistemi i serisë finale në këtë edicion është 1-1-1-1-1, ku përparësinë e terrenit vendas e ka Prishtina, pasi që ka përfunduar në vendin e parë në renditjen tabelare gjatë edicionit të rregullt dhe seria në çdo lojë do të bartet në palestrën e ekipit tjetër, e fitues i titullit do të shpallet skuadra që arrin 3 fitore nga 5 ndeshje të mundshme.
Dardan Berisha, basketbollist i Sigal Prishtinës: “Në ndeshjen e dytë nuk kemi qenë të përgatitur aq sa duhet psikikisht dhe kjo ka ndikuar në lojën tonë, ku bëmë gabime të cilat kundërshtari është e kuptueshme se nuk i fal. Ne e kemi ditur se do të jetë vështirë në Pejë, andaj edhe nuk është dashur të bëjmë aq shumë gabime, sidomos në pjesën e parë. Sidoqoftë ajo ndeshje ka mbaruar, ne kemi arritur të rikuperohemi nga ajo humbje, e kemi analizuar lojën tonë dhe të rivalit në detaje dhe tani jemi të gatshëm për duelin e tretë. Ne do të angazhohemi maksimalisht që të luajmë sa më mirë si në sulm ashtu edhe në mbrojtje, ashtu si në ndeshjen e parë dhe nëse e bëjmë këtë, atëherë besoj se do të shënojmë fitore. Ne duhet të triumfojmë, sepse kështu do të fitonim përparësinë e terrenit vendas për të cilën gjë kemi luftuar gjatë tërë edicionit”.
Boris Kurtoviç, trajner i Pejës: “Synimi ynë që të shkojmë ndeshje pas ndeshje. Nuk jam parashikues i mirë dhe nuk më pëlqen shumë të flas për rezultatin e ndeshjes së ardhshme në Prishtinë. Do të kërkoj nga lojtarët që të japin maksimumin si në ndeshjen e fundit. Nuk më pëlqen të flasë nëse do të fitojmë titullin apo jo. Ky është sport dhe nëse nuk mendojmë se do të fitojmë, nuk do të luajmë fare. Nëse do të fitonim në takimin e tretë në Prishtinë do të ishte hap i madh për ne, por do të shohim”.