Të shtunën, ora 17:00 Trepça vs AS Prishtina

12.12.2020 SUPERLIGA
12.12.2020 SUPERLIGA
13.12.2020 SUPERLIGA
12.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT
13.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT
13.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT

Barazohet seria finale, titulli i kampionit përcaktohet në fundjavë në Pejë

  • Barazohet seria finale, titulli i kampionit përcaktohet në fundjavë në Pejë
17 May 2016

Sigal Prishtina e ka shfryrë gjithë mllefin në Pejën në ndeshjen e katërt finale të “play-off”-it të Superligës së Kosovës, pasi e ka mposhtur skuadrën verdhezi me rezultat bindës 80:55 në takimin e luajtur mbrëmë në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet në prani të rreth 2000 shikuesve dhe në një atmosferë fantastike. Pak kush ka pritur një diferencë kaq të madhe në një ndeshje finale, në të cilën edhe ka mundur të vendoset fituesi i titullit të kampionit për edicionin 2015/16. Megjithatë bardhekaltrit, të cilët janë edhe kampionë në fuqi nuk lejuan që kjo të ndodh në shtëpinë e tyre, andaj dilema e fituesit të titullit ka mbetur të zgjidhet në fundjavë në “Karagaçi” të Pejës.

Peja e nisi mirë takimin, por shumë shpejt kundërpërgjigjet Prishtina dhe që nga minuta e pestë gjërat filluan të balancohen në parket, por më pas nikoqirët nisën dalëngadalë ta kapin ritmin e lojës dhe kështu bënë që dhjetëminutëshi i parë të përfundoj në favor të tyre me 19:16. Me të njëjtin ritëm ata vazhduan edhe në çerekun e dytë, kurse mysafirët assesi nuk ia dolën ta praktikojnë lojën e tyre dhe për këtë u përkujdes Prishtina me një mbrojtje të fortë dhe kundërsulme të shpejta, gjë që bëri që skuadrat të shkojnë në pushim me rezultat 39:29. Kur u mendua që Peja do të konsolidohet në dhjetëminutëshin e tretë dhe që adhuruesit e basketbollit kosovar do të kenë rast të shohin rivalitet të madh në parket, kjo nuk ndodhi, pasi Prishtina u tregua superiore në këtë pjesë të lojës duke i lejuar verdhezinjtë të shënojnë vetëm 8 pikë, kurse ajo vetë realizoi 22 sosh. Këtu edhe përfundoi gjithçka, ndërsa çereku i fundit u zhvillua vetëm sa për spektakël, për t’i kënaqur tifozët që ishin të pranishëm në palestër me disa aksione atraktive dhe për t’i gëzuar me fitoren aq shumë të dëshiruar, e cila ua siguroi edhe një rast për të luftuar në mbrojtje të titullit të kampionit.

 

Edmond Azemi, kapiten i Sigal Prishtinës:  “Ne hymë në parket për të treguar lojë më të mirë se në tri ndeshjet e para dhe e bëmë këtë falë mbrojtjes së fortë, e cila edhe na e solli fitoren. Falë mbrojtjes së mirë, gjërat na u bënë më të lehta në fazën  e sulmit. Në këtë takim ne nuk e lejuam Pejën ta luaj lojën e saj dhe kjo bëri që ata të dalin totalisht jashtë sistemit të tyre. Jam shumë i kënaqur që ia dolëm së pari të fitojmë, por edhe të luajmë mirë para tifozëve tanë të flaktë”, është shprehur 4-shja bardhekaltër. Ai në vazhdim ka folur edhe për ndeshjen e pestë finale që do të zhvillohet në këtë fundjavë në Pejë. “Ne shkojmë të motivuar për ta fituar edhe këtë duel dhe më pas të kthehemi në kryeqytet e të festojmë së bashku me qytetarët. E meritojmë të stolisemi edhe me këtë trofe, sepse kemi qenë skuadër më e mirë gjatë gjithë edicionit. Në anën tjetër Peja ka ekip shumë të fortë dhe fakti se i mposhtëm me 25 pikë dallim nuk do të thotë asgjë, andaj ne duhet të mobilizohemi, sepse bëhet fjalë vetëm për një ndeshje, ku gabimet nuk falen”, ka përfunduar Edo.

 

Drilon Hajrizi, basketbollist i Pejës: “Prishtina luajti më mirë, nuk na lejoi që nga çereku i dytë, ku edhe ishte momenti i thyerjes së ndeshjes. Sidoqoftë ne nuk guxojmë të dëshpërohemi, por duhet të përgatitemi në mënyrë që në fundjavë në ‘Karagaci’ ta ngremë titullin e kampionit para tifozëve tanë. Jemi të vetëdijshëm se nuk do të jetë aspak lehtë, por edhe jemi të bindur se ndeshja e katërt nuk guxon të na përsëritet më”, ka deklaruar 12-shja verdhezi.

Më të dalluarit në radhët e Sigal Prishtinës ishin Dardan Berisha me 24 pikë, Stanimir Marinov me 14, Andrew Warren me 12 dhe Edmond Azemi me 10 sosh. Në anën tjetër te Peja më efikasit ishin Fisnik Rugova e Nenad Deliq me nga 12 pikë të shënuara secili. Ndërkaq në radhët e Prishtinës është rikthyer i lënduari, Mohamed Abukar, i cili kontribuoi me 6 pikë në fitoren e bardhekaltërve.