Bashkimi ka triumfuar edhe në ndeshjen e dytë finale të play-offit në IP Superligën e Kosovës në basketboll.
Prizrenasit në ndeshjen e luajtur të mërkurën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren e kanë mposhtur Sigal Prishtinën me rezultat 97:80 dhe kështu tani janë një hap larg titullit të kampionit, që do të ishte i pari që nga paslufta për Bashkimin.
Mikaile Tmusic ishte më i dalluari te skuadra fituese me 31 pikë, kurse Aaron Moss ka shtuar 21 dhe Vincent Zollo 15 pilë.
Në anën tjetër te Sigal Prishtina më efikasi ishte Alban Veseli me 27 pikë, derisa Filip Bundoviq ka shënuar 15 dhe kapiteni Edmond Azemi ka realizuar 14 sosh.
Ndeshja e tretë finale, do të luhet të shtunën me fillim nga ora 18:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Në rast se Bashkimi fiton do të shpallet kampion i Kosovës për edicionin 2017/18, kurse në rast se triumfon Sigal Prishtina, atëherë ndeshja e katërt finale do të luhet në mesjavën e ardhshme në Prizren.
Sigal Prishtina është kampion në fuqi, derisa në këtë edicion e ka fituar Kupën e Kosovës, duke e mposhtur në finale pikërisht Bashkimin.