Skuadra e Bashkimit të mërkurën mbrëma ka shkruar historinë, pasi ka arritur të fitojnë titullin e parë të kampionit.
Bashkimi në palestrën e stërmbushur “Sezai Surroi” në Prizren dhe me pëkrahje të parezervë të “Arpaxhikëve” ka arritur të mposht Sigal Prishtinën në ndeshjen e katërt finale të play-offit në IP Superligën e Kosovës dhe kështu është stolisur me titullin aq shumë të dëshiruar.
Takimi ka përfunduar me rezultat 77:61 (18:18, 21:21, 15:14, 23:8). Prej çerekut të parë e deri në të katërtin është zhvilluar luftë e barabartë, derisa në të katërtin ishin nikoqirët ata që dominuan në parket dhe kështu në fund shënuan fitore, e cila edhe ua solli titullin e kampionit, të parin në histori të klubit.
Në këtë ndeshje te Bashkimi kanë shkëlqyer, Mikaile Tmusic me 17 pikë, 5 kërcime e 2 asistime, Aaron Moss me 17 pikë, 7 kërcime e 12 asistime, Altin Morina me 16 pikë e 2 kërcime dhe Urim Zenelaj me 11 pikë e 10 kërcime.
Në anën tjetër te Sigal Prishtina më efikasit ishin Filip Bundoviq me 24 pikë e 9 kërcime dhe Valon Bunjaku me 9 pikë, 4 kërcime e 5 asistime.
Medaljet e argjenda për nënkampionin, Sigal Prishtinën, i ndanë nënkryetari i FBK-së, Shaqir Totaj dhe anëtari i Bordit, Valdet Spahija, derisa medaljet e arta për kampionin, Bashkimin, i ndanë anëtari i Bordit të FBK-së, Valton Bilalli dhe sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Veton Firzi.
Kupën kapitenit të skuadrës kampione, Qëndrim Birajt, ia dorëzoi numri një i FBK-së, Arben Fetahu.
Kampionët e deritashëm:
1999/2000 Trepça
2000/2001 Trepça
2001/2002 Prishtina
2002/2003 Prishtina
2003/2004 Dukagjini
2004/2005 Mabetex
2005/2006 Prishtina
2006/2007 Prishtina
2007/2008 Prishtina
2008/2009 Prishtina
2009/2010 Prishtina
2010/2011 Prishtina
2011/2012 Trepça
2012/13 Peja
2013/14 Prishtina
2014/15 Prishtina
2015/16 Prishtina
2016/17 Prishtina
2017/18 Bashkimi