Skuadra e Bashkimit në duel me Levski 2014 do të hyj e motivuar pas një ecurie pozitive si në garat vendore ashtu edhe në ato ndërkombëtare. Prizrenasit së fundi e kanë mposhtur kampionen në fuqi, Sigal Prishtinën në kuadër të xhiros së 13 në Superligën e Kosovës, kurse në mesjavën e kaluar kanë triumfuar ndaj Teodo-s së Tivatit të Malit të Zi në xhiron e shtatë të Ligës Ballkanike (BIBL). Ndërkaq të martën me fillim nga ora 19:30 në “Sezai Surroi”, portokallinjtë janë nikoqir të bullgarëve nga Sofja në kuadër të xhiros së tetë të Grupit B në BIBL. Në ndeshjen e parë të zhvilluar ndërmjet këtyre dy ekipeve, Levski 2014 pati triumfuar ndaj Bashkimit me shifrat 77:60. Prizrenasit janë në vend të tretë të Grupit B me 9 pikë të tubuara, 2 më tepër se bullgarët që pozicionohen një pozitë më poshtë, por kanë një ndeshje më pak të luajtur.
Petar Mijoviq, trajner i Bashkimit: “Na pret një ndeshje shumë e fortë, por edhe e rëndësishme. Kemi probleme me lëndime pasi Gerti Shima nuk do të jetë në gjendje të luaj, kurse Marcel Jones dhe San Ibrahim janë në pikëpyetje. Pavarësisht këtyre problemeve me lëndime ne do të mundohemi të shënojmë fitore ndonëse nuk do të jetë aspak lehtë. Shpresoj që edhe tifozët tanë do të jenë në numër sa më të madh të pranishëm në palestër pasi kemi shumë nevojë për mbështetjen e tyre”.
Granit Rugova, basketbollist i Bashkimit: “Jemi në një fazë të mirë të rezultateve pozitive dhe këtë e kemi dëshmuar edhe në ndeshjen ndaj Prishtinës. Shpresoj se do të arrijmë që me lojë të mirë të realizojmë fitore edhe në ndeshjen ndaj Levski-t, që është tejet e rëndësishme për ecurinë tonë në Ligën Ballkanike. Jemi të përgatitur maksimalisht dhe e njohim mirë kundërshtarin”.