Me ballafaqimin në mes Kerasan Prishtinës dhe Vëllaznimit që do të zhvillohet të premten në Gjakovë me fillim nga ora 18:00 do të nis xhiroja e XIX në Superligën e Kosovës në basketboll.
Ndërkaq të shtunën janë në program dy ndeshje dhe të dielën një, ku nesër Sigal Prishtina është nikoqire e Golden Eagle Yllit (18:00) dhe Bashkimi e pret Trepçën (20:00). Të dielën do të përballen Rahoveci dhe Peja, takim ky që do të luhet duke filluar nga ora 18:45 në Gjakovë.
Të premten do të luhet edhe ndeshja e mbetur e xhiros së pestë, ajo ndërmjet Rahovecit dhe Pejës me fillim nga ora 20:30, po në Gjakovë.
Ndeshjet në Gjakovë do të zhvillohen në kuadër të Klinikës për Gjyqtarët Kandidatë Potencial (Nacional) për thirrje të FIBA-s.
Në këtë Klinikë do të ligjerojnë Dragan Medan dhe Gjorgi Piperkov, instruktor të FIBA-s, ndërsa nga Kosova po marrin pjesë 6 gjyqtarë potencialë të FBK-së, dy nga Bosnja e Hercegovina dhe dy nga Maqedonia, si dhe instruktori nacional, Faton Kurshumlija.
Duhet theksuar se në të gjitha ndeshjet e kësaj fundjave drejtësinë do ta ndajnë gjyqtarët kandidatë për thirrje të FIBA-s nga Kosova dhe rajoni.