Pas tërheqjes së shortit për kualifikimet për Kampionatin Evropian, ku Kosova do të bëj gara në Grupin E së bashku me Slloveninë, Ukrainën dhe Bullgarinë nga Munihu i Gjermanisë është deklaruar edhe numri një i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu:
“Në këto kualifikime nuk ka grupe të lehta dhe ne e kemi ditur se na presin kundërshtarë të fortë. Pres që të konsolidohemi si Përfaqësuese dhe mendoj se kemi gjasa të tregohemi si kundërshtar i denjë i fuqive evropiane që i kemi në grup”.
Kjo është hera e parë që Kosova do të luaj në kualifikime të ndonjë Kampionati Evropian apo Botëror, derisa Përfaqësuesja jonë ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian do ta zhvilloj kundër Sllovenisë si mysafire më 31 gusht të këtij viti.
Ndërkaq ndeshjen e dytë Kosova do ta luaj si nikoqire më 3 shtator kundër Ukrainës, kurse më 7 shtator është mysafire e Bullgarisë, derisa më 10 shtator e pret Slloveninë, pastaj udhëton në Ukrainë më 14 shtator dhe ndeshjen e gjashtë e të fundit në kuadër të këtyre kualifikimeve do ta zhvilloj si nikoqire më 17 shtator ndaj Bullgarisë.