Me 37 vota pro dhe vetëm 1 kundër, Erolld Belegu e ka fituar edhe një tjetër mandat (2016-2020) në postin e kryetarit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), në Kuvendin Zgjedhor të mbajtur të martën mbrëma (07.06.2016) në Hotel Swiss Diamond Prishtina.
Të pranishëm në Kuvend ishin 38 delegatë, nga gjithsej 41 sa numëron Kuvendi i FBK-së.
Në hapje të Kuvendit, numri 1 i FBK-së u dëshiroi mirëseardhje delegatëve të pranishëm dhe më pas e prezantoi për herë të parë para publikut spotin publicitar të Kombëtares së Kosovës, e cila u mirëprit nga të pranishmit, duke marr parasysh faktin se kjo është hera e parë që Kombëtarja jonë do të marr pjesë në kualifikimet për Kampionatin Evropian.
Më pas Belegu në një video-prezantim e ka paraqitur punën e tij trivjeçare (2013-2016) në krye të FBK-së, të bërë se bashku me Bordin e FBK-së.
Pas kësaj u zgjodhën trupat punuese (Kryesia e Punës dhe Komisioni Verifikues) të Kuvendit Zgjedhor të cilat proceduan tutje me punimet në Rendin e Ditës, me pikat 4 dhe 5, e që kishin të bënin me votimin për kryetar të FBK-së dhe votimin për anëtarë të Bordit.
Kandidatit të vetëm për postin e kryetarit të FBK-së, Erolld Belegut iu besua edhe një mandat tjetër nga 37 delegatë, derisa vetëm 1 ishte kundër. Më pas Belegu e shfrytëzoi të drejtën e tij dhe e propozoi për nënkryetar Shaqir Totajn, i cili edhe më parë e kishte këtë post. Totaj u votua unanimisht nga të pranishmit, derisa ai nuk pati kundërkandidat. Ndërkaq posti i nënkryetarit nga radhët e minoriteteve mbetet vakant. Më pas Belegu e shfrytëzoi të drejtën e tij dhe i propozoi 7 anëtarë të Bordit: Arben Fetahu, Kimete Haliti, Valdet Spahija, Learta Berisha, Burim Koshi, Besim Braha dhe Valton Bilalli. Nga delegatët e pranishëm nuk pati propozime të tjera, andaj të 7 anëtarët u votuan unanimisht nga delegatët e Kuvendit.
Në fund Belegu u premtoi delegatëve të Kuvendit të FBK-së vazhdimësi të punës së bërë deri më tani dhe angazhim maksimal të tij dhe anëtarëve të Bordit në zhvillimin e mëtutjeshëm të sportit të basketbollit në vendin tonë.
Belegu gjithashtu ndau mirënjohje për anëtarët e Bordit gjatë mandatit të kaluar, pastaj për të gjithë sponsorët që e kanë ndihmuar FBK-në në këtë periudhë trivjeçare, si dhe për Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS) dhe Departamentin e Sporteve të Kosovës (DSK).
Duhet theksuar se në Kuvend ishin prezent në cilësinë e vëzhguesve edhe zëvendësdrejtoresha e Departamentit të Sportit të Kosovës (DSK), Afërdita Fazlija, menaxheri i sportit të basketbollit në DSK, Arsim Thaqi dhe nënkryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Fatmir Makolli.