Kosova A te femrat për herë të parë vitin e ardhshëm do të luajë në garat ndërkombëtare. Debutimi do të jetë historic për vashat e Kosovës.
Vendimi i Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës për formimin e Përfaqësueses A te femrat dhe pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare është pritur shumë mirë nga komuniteti i basketbollit.
Shumë basketbolliste kanë luajtur me dekada të tëra në Kosovë, por nuk kanë pasur mundësi të veshin fanellën e Kosovës, për shkak të mos pranimit.
Njëra nga basketbollistet e Gjeneratës së Artë është edhe Vlora Braha. Ajo flet për iniciativën e FBK-së.
“Mendoj se ka qenë momenti që diçka e tillë të ndodhë dhe është një nga nismat më të qëlluara që është marrë nga Federata e Basketbollit të Kosovës sepse, jo vetëm që e çon dhe e zhvillon më tutje basketbollin e femrave, por edhe ju jep mundësi atyre që ta dëshmojnë veten në arenën ndërkombëtare.
Është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse vetëm në këtë mënyrë basketbollistet tona do të kaliten, e pse jo një ditë, jo dhe aq larg, t’na përfaqësojnë denjësisht në garat ndërkombëtare”, është shprehur Braha për faqen zyrtare të FBK-së.
Kosova A (femrat) pritet të marrë pjesë në FIBA Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla, që do të organizohet në vitin e ardhshëm në Nicosia të Qipros prej 15 deri më 20 Qershor.
Në FIBA Kampionatin Evropian për Shtetet e Vogla-Femrat në vitin 2020 janë paraqitur për të garuar: Andorra, Qipro, Gjibraltari, Irlanda, Luksemburgu, Malta dhe Norvegjia, por që u anulua për shkak të pandemisë Covid-19. Regjistrimi i shteteve për pjesëmarrje në FIBA Kampionate Evropiane në FIBA Europe do të bëhet si zakonisht, pra ndërmjet muajve Shtator/Tetor 2020.
FIBA Evropa ka kërkuar nga të gjitha Federatat Nacionale që të regjistrojnë ekipet e tyre për vitin 2021, pasi regjistrimet e paraqitura për vitin 2020 nuk do të merren parasysh.