Sigal Prishtina e ka bërë një hap të madh drejt sigurimit të finales së dytë radhazi në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL).
Kampionët në fuqi të BIBL-it të mërkurën mbrëma e kanë mposhtur Beroe-n në Stara Zagora të Bullgarisë me rezultat 89:75 dhe kështu me një këmbë janë në finalen e madhe.
Në anën tjetër bullgarëve iu nevojitet një mrekulli javën e ardhshme në Prishtinë nëse mendojnë të arrijnë të luftojnë për trofe.
Bardhekaltrit kanë udhëhequr në pjesën më të madhe të kohës, por diferencën e kanë arritur në dy çerekët e fundit kur ata e shfrytëzuan përvojën e tyre dhe dominuan nën kosh.
Antonis Constantinides, trajner i Sigal Prishtinës: "Së pari unë dua të përgëzoj skuadrën nikoqire dhe mikun tim, Lubo Minchev. Beroe po luan mirë, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Ky ekip meriton përgëzime për gjithë atë që ka bërë deri më tani. Sa i përket ndeshjes ne kemi më shumë përvojë së kundërshtari dhe ne më shumë kemi qenë të fokusuar në të dyja fazat. Ne e kemi kontrolluar mirë ndeshjen, përveç në minutat e parë të çerekut të dytë. Sidoqoftë është edhe një ndeshje për t'u luajtur javën e ardhshme. Ne do të përpiqemi të fitojmë. Prej janarit ne i kemi zhvilluar 23 ndeshje dhe kemi shënuar po aq fitore. Ne do të mundohemi të vazhdojmë me këtë ritëm".
Duhet theksuar se në gjysmëfinalen tjetër të luajtur ndërmjet Kozuv-it dhe Mornar-it fitore ka regjistruar skuadra nga Gjevgjelia e Maqedonisë me shifrat 86:71.
Ndeshjet e kthimit gjysmëfinale do të zhvillohen javën e ardhshme në Prishtinë, përkatësisht Tivar.