Demira Insaat u tregua skuadër shumë e fortë për Sigal Prishtinën, pasi kjo e fundit është mposhtur me rezultat të thellë 100:58 (26:10, 30:18, 22:17, 22:13) që në xhiron e parë të Grupit H në FIBA Europe Cup, ndeshje kjo e zhvilluar të mërkurën mbrëma në Stamboll.
Më efikasi te Prishtina ishte Bojan Trajkovski me 18 pikë, kurse te Demir Insaat më i dalluari ishte Angelo Caloiaro me po ashtu 18 pikë të realizuara.
Ndeshjen e radhës në këtë garë kryeqytetasit do ta luajnë si vendas ndaj Rilski Sportist nga Bullgaria më 26 tetor me fillim nga ora 20:30.
Për Prishtinën kjo është disfata e katërt radhazi në të gjitha garat ku merr pjesë, pasi bardhekaltrit në Superligën e Kosovës kanë regjistruar dy humbje radhazi, së pari nga Bashkimi dhe më pas nga Peja, ndërsa në ndërkohë janë mundur edhe në Stara Zagora të Bullgarisë nga Beroe në xhiron e parë të Grupit A në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL).