Pas rikthimit nga lëndimi, basketbollisti i Përfaqësueses së Kosovës, amerikani Justin Doellman dalëngadalë është duke u rikthyer edhe në formën e tij.
Ylli i Barcelona-s së fundi në ndeshjen kundër Valencia-s në kuadër të xhiros së 14 në Liga Endesa ka shënuar 18 pikë. Barça ka triumfuar me rezultat 94:82 (25:20, 19:10, 27:28, 23:24).
Doellman ishte lojtari i dytë më i dalluar i skuadrës katalunase, ku i pari ishte Tyrese Rice me 25 pikë.
Doellman e pati lënduar muaj më parë nyjën e këmbës dhe ka qëndruar jashtë fushave më shumë se një muaj, por me paraqitjen e fundit ndaj Valencia-s ai ka dëshmuar se po kthehet në formën që jemi mësuar ta shohim.
Barcelona në xhiron e radhës në elitën e basketbollit spanjoll do të përballet me Zaragoza-n, ndeshje kjo që do të zhvillohet më 30 dhjetor.
Barça aktualisht është lidere e Liga Endesa-s, e ndjekur nga rivali i përbetuar, Real Madrid-i.