Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku dhe Drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova më 12 dhe 13 dhjetor do të qëndrojnë në Beograd, ku do të marrin pjesë në hedhjen e shortit për FIBA Kampionatet Evropiane të kategorive të reja në të dyja konkurrencat, kur edhe Përfaqësueset tona do t’i marrin vesh emrat e kundërshtarëve të tyre.
Duhet theksuar se Federata e Basketbollit të Kosovës për herë të parë e ka paraqitur për të garuar Përfaqësuesen U20 në konkurrencën e femrave dhe tashmë janë gjithsej 6 Përfaqësuese që do të marrin pjesë vitin e ardhshëm në FIBA Kampionate Evropiane, Divizione B (U16, U18, 20, meshkuj dhe femra).
Krahas shortit të FIBA Kampionateve Evropiane të kategorive të reja në Beograd do të bëhet edhe hedhja e shortit për FIBA Eurobasket 2019 në konkurrencën e femrave që do të organizohet në Serbi dhe Letoni, si dhe për raundin e tretë të parakualifikimeve për Eurobasket 2021 në konkurrencën e meshkujve.
Duhet theksuar se verën që e lamë pas FBK ishte organizatore e FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C në të cilin triumfoi Kosova, por edhe FBK mori lëvdata nga FIBA për organizim të shkëlqyeshëm të këtij eventi.