Të enjten në zyrat e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, ka pritur kapitenin e Policisë së Kosovës, Bajrami Shabani.
Dushku ka falënderuar kapitenin Shabani, për ndihmën që Policia e Kosovës ka dhënë për basketbollin e Kosovës.
FBK-ja e falënderon për bashkëpunimin e deritashëm me shpresë se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Dushku dhe Shabani kanë biseduar rreth organizimit të Kampionatit Evropian, Divizioni B, U (F) që do të mbahet në Prishtinë dhe dy ndeshjeve të Kosovës A, që gjatë muajit gusht do të zhvillohen në Mitrovicë.
Evropiani në Prishtinë do të mbahet nga 3 deri më 11 gusht, kurse Kosova A, do të luajë ndaj Britanisë së Madhe dhe Luksemburgut, më 7, përkatësisht 14 gusht.
Po ashtu FBK-ja ndau mirënjohje për kapitenin Shabani në shenjë falënderimi për gatishmërinë dhe ndihmën e deritanishme.