Të hënën, më 13 mars 2017 bëhen dy vjet që nga anëtarësimi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) në Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA).
FBK më 13 mars 2015 u pati bërë anëtarja e 215-të e FIBA-s, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FIBA-s të mbajtur në Gjenevë.
Numri një i FBK-së, Erolld Belegu ka thënë për uebsajtin zyrtar të federatës se që nga ajo kohë e deri më tani basketbolli kosovar është përballur me sfida nga më të ndryshmet, por në të njëjtën kohë ka provuar edhe aventura të reja ndërkombëtare:
“Kemi punuar në disa drejtime në të njëjtën kohë, por që rëndësi e veçantë i është kushtuar punës me gjenerata të reja në të dyja konkurrencat. Pra ky ka qenë prioriteti ynë, dhe falë kësaj ne sot për vitin e dytë radhazi i kemi 5 Përfaqësuese të Reja në Kampionate Evropiane, në Divizione B dhe C te meshkujt dhe femrat. Pra në vitin 2015 i kemi pasur 2 ekipe (U16 dhe U20), kurse sot i kemi edhe 3 më shumë. Në të njëjtën kohë për herë të parë kemi marr pjesë në kualifikime për Eurobasket, ku ndonëse nuk e kemi fituar asnjë ndeshje, ne kemi fituar përvojë në aspektin organizativ, por edhe në aspektin e organizimit të brendshëm të Përfaqësueses. Në të njëjtën kohë kemi punuar shumë në ngritjen e cilësisë së gjyqtarëve/vëzhguesve, ku mendoj se kemi pasur mjaft sukses, por që në duhet të vetëkënaqemi, por duhet të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë në këtë drejtim. Po ashtu në nivel të klubeve qëndrojmë dukshëm më mirë se sa tri apo katër vite më parë, sepse tashmë i kemi disa skuadra që marrin pjesë në gara zyrtare ndërkombëtare, aty ku edhe cilësia, por edhe organizimi është i cilësisë më të lartë. Raportet me FIBA-n në këto dy vitet e pranimit janë për t’u lavdëruar, dhe këtë e dëshmon më së miri fakti se na janë besuar projekte të mëdha si tek gjeneratat e reja, ashtu edhe tek gjyqtarët. Sivjet e kemi ndër prioritetet kryesore, punën me trajnerë, ku jemi duke punuar intensivisht në krijimin e një Programi për Edukim dhe Licencim të Trajnerëve. Shikuar në tërësi e kemi bërë një punë të madhe, por ajo që na pret në ditët, javët, muajt e vitet në vazhdim është edhe më e madhe. Por kjo është sfida që ne e kemi pranuar si federatë dhe do të përpiqemi që të bëjmë gjithçka në të mirë të zhvillimit dhe ngritjes së cilësisë së basketbollit kosovar”.