Të shtunën, ora 17:00 Trepça vs AS Prishtina

12.12.2020 SUPERLIGA
12.12.2020 SUPERLIGA
13.12.2020 SUPERLIGA
12.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT
13.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT
13.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT

Erolld Belegu: 2017 me sfida të reja

  • Erolld Belegu: 2017 me sfida të reja
28 December 2016

Në fund të dhjetorit është koha për të bërë bilancin e vitit 2016, por edhe për të shikuar përpara, pra në sfidat që na presin në 2017.

Jemi në prag të përmbylljes së vitit 2016, por çfarë ishte ky vit për basketbollin kosovar? Çfarë na pret në 2017?

Në këto pyetje do të përgjigjet kryetari i Federatës Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu, i cili e fitoi edhe një mandat katërvjeçar në krye të shtëpisë së basketbollit kosovar.

 

Viti 2016, anët e forta dhe të dobëta të basketbollit kosovar?

Arritja më e madhe e vitit ka qenë themelimi dhe konsolidimi i ekipeve kombëtare të të dyja gjinive dhe pothuasje të gjitha grupmoshave. Ky është një projekt që na ka marrë shumë kohë, energji dhe mjete financiare, por është një prej arritjeve tona më të mëdha të viteve të fundit.

Pesë Përfaqësuese të grupmoshave të reja kanë garuar në kampionatet përkatëse evropiane, grupmosha 2000/2001, ka treguar se me të drejtë është në Divizionin B të Evropës, duke lënë prapa 10 shtete në radhitjen përfundimtare të Kampionatit Evropian të këtij Divizioni, kurse funksionalizimi i Kombëtares A ka shënuar pikën më të lartë të organizimit tonë të brendshëm.

Pjesëmarrja në kualifikime për Eurobasket 2017 ka qenë sukses në kuptimin e organizimit, logjistikës, kurse paraqitja e Justin Doellman-it, Scott Bamforth-it, por edhe Shaën Jones-it për kombëtaren e Kosovës e ka përforcuar pozitën e Kosovës në hartën evropiane të basketbollit.

Fatkeqësisht nuk ishim në gjendje të shënojmë fitore, edhe pse ishim afër, mirëpo, jam shumë i inkurajuar nga përkrahja që kemi pasur nga sponsorët dhe publiku dhe kjo më bën optimist edhe për vitet e ardhshme.

Dobësi vazhdon të ketë, sepse jemi të kufiuzar sa i përket infrastrukturës, përkrahjes institucionale dhe mungesës së ekspertëve. Sidoqoftë, jemi munduar që të nxjerrim maksimumin nga kuadri ekzistues dhe veçse kemi filluar të mendojmë për krijimin kuadrove të reja profesioniste në të gjitha segmentet e nevojshme.

 

Gjatë vitit 2016 ju e fituat edhe një mandat të ri për kryetar, cilat janë prioritet e juaja?

Fillimisht duhet thënë se vota për një mandat të ri katërvjeçar është dëshmia më e mirë e përkrahjes që ekziston në komunitetin e basketbollit për punën tonë. Njëkohësisht mandati ri na vendos para sfidave të reja. Nëse në mandatin e parë, sfidë ka qenë pranimi në FIBA dhe themelimi ose funksionalizimi i Përfaqësueseve, në periudhën 2017 – 2020 duhet të punojmë intensivisht që FBK-në ta bëjmë federatë të nivelit evropian në të gjitha aspektet.

Prioritetet janë të ngjashme, por do të ndryshojë mënyra e realizimit të qëllimeve. Nëse kemi arritur të dyfishojmë numrin e ekipeve të kategorive të reja, në katërvjeçarin e ardhshëm prioritet kryesor është edukimi i trajnerëve dhe kontrollimi cilësor i punës së tyre.

Nëse kemi arritur të krijojmë gjyqtarë të rinj, prioritet është që të kemi gjyqtarë që bartin shenjën e FIBA-s, dhe nëse kemi vëzhgues cilësorë që me sukses po vëzhgojnë ndeshjet në Ligën Ballkanike (BIBL), prioritet e kemi që të krijojmë delegatë teknikë, çfarë i kërkon FIBA për të ardhmen.

Nëse kemi ekipe kombëtare që marrin pjesë në gara e kampionate, tash është koha që të kërkojmë dhe rezultate.

Për të gjitha këto do të nevojiten më shumë njerëz në zyrën e FBK-së dhe një riorganizim i brendshëm, për cka Komiteti Ekzekutiv dhe Bordi janë duke punuar.

 

Cilat janë sukseset më të mëdha të basketbollit kosovar në vitin 2016?

Sukses është në tërësi ajo që kemi bërë me ekipe kombëtare dhe fakti që në Mitrovicë kemi pritur Slloveninë, Ukrainën dhe Bullgarinë dhe jemi dëshmuar si organizatorë të suksesshëm të ndeshjeve të nivelit të lartë.

Në të gjitha ligat kemi rritje të ekipeve pjesëmarrëse, kurse nga Superliga e Kosovës doli kampioni i Ligës Ballkanike dhe dy ekipe që garuan në FIBA Europe Cup. Mendoj që po vendosim një trend të rritjes në të gjitha drejtimet dhe kjo duhet të jetë shtytja dhe motivi më i madh për ne.

 

Sfidat që e presin FBK-në në vitin 2017?

Tashmë kemi ardhë në stadin kur FBK po përqendrohet më shumë në programe zhvillimore dhe në punë të ekipeve kombetarë dhe po pret që klubet të mund të mbijetojnë dhe funksionojnë me sa më pak ndihmë direkte nga ana jonë.

Kjo do të jetë sfida jonë për të ardhmen, mirëpo, në 2017 pa dyshim se sfida kryesore është të tentojmë të fitojmë të drejtën për garim në kualifikime për Kupën e Botës “Kina 2019” me kombëtaren e meshkujve dhe të sigurojmë ngrtje në Divizionin B me kombëtaret e kategorive të reja.

Jashtë planit sportiv, qëllim prioritar e kemi riorganizimin e punës në FBK dhe programet për licencim të trajnerëve e gjyqtarëve, që pritet të sjellin benifite afatgjate.

 

Për fund një urim për të gjithë njerëzit që e duan basketbollin?

Fillimisht dua ti përshëndes gjithë ata adhurues të basketbollit që me përkrahjen e tyre në ndeshje dhe me bisedat e kritikat e sinqerta sportive, po na ndihmojnë që çdo ditë të ngritim nivelin tonë.

Të gjithëve ju uroj cdo të mirë në vitin e ri dhe shpresoj që sukseseve të reja do ti gëzohemi së bashku.