Më 1 dhe 2 Shkurt 2017 në Munich të Gjermanisë do të mbahet një Punëtori (Workshop) e organizuar nga FIBA , me qëllim përgatitjen sa më të mirë të Federatave Nacionale për organizim të parakualifikimeve për Kupën e Botës “Kina 2019”.
Federatën e Basketbollit e Kosovës (FBK) në këtë event do ta përfaqësojnë, anëtari i Bordit dhe i Komitetit Ekzekutiv, Leart Hoxha dhe Fjolla Kllokoqi nga stafi i federatës.
Kosova në vitin 2016 ka debutuar në kualifikimet për Eurobasket 2017 dhe pavarësisht se nga 6 ndeshje të zhvilluara ka regjistruar po aq humbje, Përfaqësuesja jonë do të ketë të drejtë të marr pjesë në parakualifikimet për Kupën e Botës.
Në parakualifikime Kosova do të bëjë gara me Estoninë dhe Maqedoninë në Grupin C.
Skuadrat do të zhvillojnë ndeshje sipas sistemit vajtje – ardhje në muajin gusht dhe dy ekipet më të mira të grupit do të marrin pjesë në kualifikime për Kupën e Botës “Kina 2019”.
Në kualifikime për Kupën e Botës marrin pjesë 32 kombëtare nga Evropa, kurse në Kupë të Botës do të marrin pjesë 12 ekipe nga kontinenti ynë.