Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) njofton të gjitha klubet dhe shkollat e basketbollit të Prizrenit, Therandës dhe Rahovecit që të shtunën (03.02.2018) në palestrën e sporteve “Sezai Surroi” në Prizren do të organizojë Kampin e basketbollit për grupmoshat 2004/05 dhe 2006/07 në të dyja konkurrencat.
Grupmosha 2004/05 (meshkuj/femra) do të mbajë stërvitjen të shtunën nga ora 14:00 deri në 15:00, ndërsa grupmosha 2006/07 (meshkuj/femra) prej orës 15:00 deri në 16:00. Fëmijët duhet të jenë të pranishëm në palestër me trajnerët e ekipeve/shkollave të basketbollit prej nga vijnë.
Kampi do të udhëhiqet nga trajneri i mirënjohur kosovar, Ibrahim Karabeg, ndërsa do t’i asistojnë këta trajnerë: Albert Sylejmani, Lorik Kllokoqi, Gyltekin Selimi, Fidan Shatri, Gentiana Ismaili, Arbnore Perquku, Ramush Rushiti, Edon Godeni, Edin Kërveshi, Arben Elshani, Arben Nixha, Valon Tanushi, Pal Syla, Driton Puka dhe Hasan Bytyqi.
Dy javë më pare FBK e ka organizuar të njëjtin Kamp në Prishtinës, ndërsa tani është radha e Prizrenit, derisa do të vazhdoj me organizimin e kampeve edhe në të gjitha qytetet e tjera të Kosovës.
Ky kamp organizohet me qëllim të evidentimit të talenteve nëpër të gjithë Kosovën dhe me qëllim të përgatitjes sa më mirë të gjeneratave të reja për Përfaqësueset e Kosovës në të dyja konkurrencat.
FBK është e përkushtuar në punën me gjenerata të reja tash e sa vjet, për çka edhe ka marr mbështetje nga FIBA Evropa nëpërmjet projekteve të ndryshme, derisa kjo përkrahje pritet të vazhdoj të jetë edhe më e madhe, duke marr parasysh faktin se FIBA Evropa tashmë është shprehur shumë e kënaqur me angazhimin e pashoq të FBK-së në këtë drejtim.