Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ia uron kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrrit, bashkëpunëtorëve të tij dhe tërë opinionit futbolldashës anëtarësimin në familjen e madhe botërore të futbollit.
Lajmi për pranimin e FFK-së në FIFA është pritur me gëzim të madh nga të gjithë sportdashësit shqiptarë anembanë trojeve tona, të vetëdijshëm për rrugën e gjatë dhe të mundimshme që futbolli kosovar është detyruar ta kaloj për të qenë i barabartë me të gjitha federatat simotra në Botë.
Kryetari i FBK-së, Erolld Belegu është i bindur se nën udhëheqjen e kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri, kombëtaret e Kosovës dhe klubet tona përfaqësuese në arenën ndërkombëtare do të na bëjnë krenarë edhe me rezultatet sportive të arritura.
13 maji i vitit 2016 do të mbetet si ditë e shënuar për futbollin dhe sportin kosovar në përgjithësi, prandaj numri një i FBK-së në emër të komunitetit të basketbollit në Kosovë edhe një herë e përgëzon kreun e FFK-së për të arriturat e mëdha dhe për ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar, si një synim i kahmotshëm i shumë gjeneratave.