FIBA Europe të martën e ka publikuar një artikull për Kosovën, më saktësisht për sfidat që e presin Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) me Përfaqësueset e saj gjatë kësaj vere në garat zyrtare të FIBA-s.
FBK këtë verë do të marr pjesë me 6 Përfaqësuese në garat e FIBA-s, prej tyre 4 të meshkujve dhe 2 të femrave.
Faqja zyrtare e FIBA Europe është fokusuar më shumë në Përfaqësuesen A të Kosovës (meshkujt), por edhe në punën e madhe që e pret FBK-në në organizimin e ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Evropian, por edhe për ndeshjet që kjo skuadër do t’i luaj jashtë Kosovës.
“Kosova ka debutuar në arenën ndërkombëtare në verën e kaluar, duke marr pjesë në dy Kampionate të grupmoshave të reja. Tani Federata e Basketbollit e Kosovës është e gatshme që të fillojë një udhëtim edhe më të gjatë duke garuar në kualifikimet për EuroBasket 2017, gara e parë në histori të këtij vendi që merr pjesë me Përfaqësuesen A”. Kështu e ka nisur artikullin faqja zyrtare e FIBA Europe.
“Ne po përpiqemi që t’i tregojmë komunitetit botëror të basketbollit se jemi një komb basketbolldashës”, ka thënë Arben Fetahu, anëtar i Bordit të FBK-së.
“Ne e kemi nisur këtë udhëtim me një motivim shumë të madh dhe jemi të bindur se në fund rezultatet e këtij cikli të kualifikimeve do të jenë pozitive. Ne do të jemi mikpritës të mirë, do të luajmë basketboll kualitativ dhe do ta vendosim veten si një komb në hartën e basketbollit të Evropës”, ka shtuar Fetahu.
Kosova, e cila në mars të vitit 2015 është bërë anëtare e FIBA-s është prezantuar në basketbollin botëror në verën e kaluar duke marr pjesë në Kampionatin Evropian U16, Divizioni C dhe Kampionatin Evropian U20, Divizioni B.
Fitoren e parë Kosova e ka regjistruar më 6 korrik me grupmoshën U16, duke e mposhtur Gjibraltarin me rezultat 84:27. Më pas vazhduan fitoret ndaj Monakos, Uellsit e Maltës, për të humbur në fund në finale nga San Marino, për të përfunduar turneun në vendin e dytë.
Një ditë pasi Kosova U16 e ka luajtur finalen në Divizionin C, Kosova U20 bëri historinë duke arritur fitoren e parë në Divizionin B, pasi e ka mposhtur Gjeorgjinë me shifrat 77:65.
Kosova U20 më pas ka arritur fitore ndaj Rumanisë më 81:69, duke përfunduar në vendin e 14, më lartë se Austria, Shqipëria, Rumania dhe Moldavia.
Kjo më pas është pasuar me pjesëmarrjen e Sigal Prishtinës në edicionin e rregullt të FIBA Europe Cup, me një ekip të lojtarëve që është përbërë kryesisht nga lojtarë vendorë.
Këtë verë Kosova do të luaj në Divizionin B në Kampionatin Evropian me grupmoshat U16 dhe U20, kurse në Divizionin C do të garojë me U18.
Përveç grupmoshave të reja Kosova do të luaj për herë të parë këtë verë për kualifikimet në FIBA EuroBasket 2017 dhe përballë do të ketë Slloveninë, Ukrainën, dhe Bullgarinë në Grupin E.
“Për Përfaqësuesen tonë nuk ka pasur grup të lehtë në këto kualifikime. Ne ishim të vetëdijshëm se do të përballemi me kundërshtarë të fortë. Ne do të bëjmë çdo përpjekje që të konsolidojmë skuadrën tonë, duhet të mbledhim lojtarët më të mirë kosovarë që luajnë edhe në ligat më të forta, në mënyrë që ta prezantojmë veten si një ekip i mirë kundrejt superfuqive evropiane në grupin tonë”, është shprehur Fetahu.
Sipas anëtarit të Bordit të FBK-së favorit i grupit është Sllovenia, sistemin e së cilës për zhvillimin e basketbolli, Kosova e ka model.
"Sllovenia ka investuar shumë dhe rezultat i kësaj është zhvillimi i basketbollit në mënyrë sistematike, andaj edhe është një sport tradicional në këtë vend. Dhe ne i shikojmë ata si model në punën tonë në shumë aspekte, duke përfshirë këtu edhe punën me Përfaqësueset e të Rinjve", ka thënë ai.
Fetahu ka shtuar se prania e Ukrainës në tri Evropianet e fundit duke përfshirë këtu edhe faktin se ka përfunduar në vendin e gjashtë në vitin 2013 tregon më së miri se për çfarë kundërshtari të vështirë bëhet fjalë: "Ne besojmë se rezultatet e tyre në Kampionatet Evropiane nuk janë një rastësi, por një rezultat i punës së mirë dhe traditës së gjatë në këtë vend për këtë sport".
Ndërkaq Bullgaria i ka dëshmuar apetitet e saj për kualifikimet e Eurobasket 2017 duke e emëruar Sharon Drucker-in si përzgjedhës të Përfaqësueses së tyre, ka thënë Fetahu. "Nëse Bullgaria arrin të grumbullojë skuadrën e saj më të mirë mund t'i shkaktojë probleme secilit ekip në raundin kualifikues".
Fetahu ka theksuar se Kosova po pret me padurim ta shoh Përfaqësuesen e saj duke luajtur ndeshjet në shtëpi në mes 31 gushtit dhe 17 shtatorit.
"Pritja më e madhe në mesin e adhuruesve të basketbollit në vendin tonë është ta shohin skeletin e Përfaqësueses, duke marr parasysh faktin se në regjistrimet e fundit një e treta e popullatës së Kosovës jeton jashtë saj. Ne jemi të vetëdijshëm se përballë do t'i kemi fuqitë evropiane të basketbollit, por ne jemi të bindur se ne do të japim më të mirën tonë për të mbrojtur me sukses ngjyrat e Përfaqësueses tonë në çdo ndeshje që do ta luajmë", ka përfunduar Arben Fetahu, anëtar i Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës.