Bashkimi ka shënuar fitore ndaj Trepcës në ndeshjen e zhvilluar sonte në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. Ndeshja ka përfunduar me rezultat 63:51 dhe i ka takuar xhiros së pestë në Superligën e Kosovës në basketboll.
Në pesë xhirotë e para, prizrenasit kanë bilanc prej 5 ndeshje e 5 fitore, kurse mitrovicasit nga pesë duele kanë regjistruar 3 fitore e 2 humbje.
Ndeshja tjetër e xhiros së pestë e luajtur mbrëmë në Prishtinë ndërmjet Kerasan Prishtinës dhe Vllaznimit ka përfunduar në të mirë të gjakovarëve me shifrat 74:69 (22:17, 9:20, 23:17, 20:15).
Koshashënuesit më të mirë te Vllaznimi ishin Fisnik Juniku me 21 pikë, ndërsa ai ka realizuar edhe 3 kërcime e 5 asistime, kurse Blendi Matoshi ka shtuar 17 pikë, 6 kërcime e 3 asistime.
Në anën tjetër te Kerasan Prishtina më efikasit ishin Ermir Gashi me 16 pikë, Genc Gashi me 11 pikë, 8 kërcime e 4 asistime dhe Granit Hyseni me 8 pikë e 12 kërcime.
Duhet theksuar se Peja dhe Sigal Prishtina për shkak të angazhimeve në FIBA Europe Cup, duelet e xhiros së pestë të elitës së basketbollit kosovar do t’i luajnë më vonë.